Ndërlidhjet

Trump: Në Shtëpinë e Bardhë u diskutua për garancitë e sigurisë për Ukrainën, nisën përgatitjet për takimin Zelensky-Putin

• Presidenti amerikan, Donald Trump, u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

• Në takim morën pjesë edhe liderët Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Finalandës, shefi i NATO-s dhe shefja e BE-së.

• Trump tha se ka nisur përgatitjet për një takim Zelensky-Putin.

• Presidenti amerikan theksoi se SHBA-ja do të ofrojë garaci të sigurisë bashkë me Evropën për Ukrainën.

16:46 18.8.2025

Përshëndetje të nderuar lexues,

Përmes këtij blogu po e nisim raportimin në kohë reale për zhvillimet e ditës së sotme në Uashington, ku presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i mirëpresë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe liderët evropianë, për të biseduar për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Takimi mes tyre vjen pasi Trump u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Alaskë, të premten, në një takim ku nuk arrit marrëveshje për dhënien fund të pushtimit të Ukrainës nga Kremlini.

Na ndiqni!

17:04 18.8.2025

Zelensky thotë se është i gatshëm të punojë për paqe, para bisedimeve me Trumpin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha pak para takimit se është i gatshëm të punojë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

“Rusia mund të detyrohet në paqe vetëm përmes forcës, dhe Presidenti Trump e ka atë forcë,” shkroi Zelensky në rrjetet sociale pas takimit me të dërguarin special të SHBA për Ukrainën, Keith Kellogg.

Zelensky pritet të takohet me Trump në orën 1:15 pasdite në Zyrën Ovale, (rreth orës 19:15 me orën lokale në Kosovë), ku herën e fundit kishte marrë një qortim nga Trump gjatë një vizite të dështuar në shkurt.

Trump tani po shtyn për një përfundim të shpejtë të luftës më vdekjeprurëse të Evropës në 80 vjetët e fundit, ndërsa Kievi dhe aleatët e tij shqetësohen se ai mund të kërkojë të imponojë një marrëveshje sipas kushteve të Rusisë, pasi ai e shtriu tapetin e kuq për presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaska, të premten.

17:08 18.8.2025

Për çfarë garancish për Kievin u pajtuan Trump dhe Putin?

Më 17 gusht, dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, i tha rrjetit televiziv amerikan, CNN, se gjatë samitit në Alaskë ishte arritur marrëveshje që SHBA-ja dhe aleatët e saj të ofronin garanci “vendimtare” për Ukrainën në formën e “mbrojtjes si Neni 5”, edhe pse nuk dha hollësi konkrete.

Garancitë e sigurisë për Kievin janë një çështje kyç në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve gjatë pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas tij, pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, Rusia nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë si pjesë e një kuadri të mundshëm paqeje.

Fraza lidhet me Nenin 5 të traktatit themelues të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që është klauzola kryesore sipas së cilës një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.

Por, ndryshe nga besimi i përgjithshëm, ky nen nuk obligon automatikisht anëtarët e NATO-s për ndërhyrje të plotë ushtarake. Ai parasheh që secili shtet anëtar “do ta ndihmojë palën ose palët e sulmuara duke marrë menjëherë, individualisht ose në bashkëpunim me të tjerët, veprimet që i konsideron të nevojshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës së armatosur”.

Më shumë rreth kësaj çështje lexoni në artikullin më poshtë:

17:28 18.8.2025

Trump: Do të jetë një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, majtas, dhe presidenti amerikan Donald Trump, 28 shkurt 2025.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, majtas, dhe presidenti amerikan Donald Trump, 28 shkurt 2025.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar se do të jetë “një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë”, pak orë para takimit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësit evropianë, për bisedime mbi përfundimin e luftimeve në Ukrainë.

“Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë udhëheqës evropianë këtu në të njëjtën kohë. Një nder i madh për Amerikën!!” shkroi ai.

Bisedimet në Uashington pritet të përfshijnë Trumpin, Zelenskyn, shefin e NATO-s Mark Rutte, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.

Këto bisedime pasojnë samitin e Trumpit në Alaska me presidentin rus, Vladimir Putin, më 15 gusht. Asnjëri nga liderët nuk zbuloi shumë mbi përmbajtjen e atyre diskutimeve gjatë një konference të shkurtër për shtyp, ku nuk pranuan pyetje nga gazetarët.

Megjithatë, mediat perëndimore kanë raportuar se Putini propozoi një marrëveshje paqeje që do të përfshinte tërheqjen e Ukrainës nga një zonë e gjerë territori në rajonin e Donbasit.

Kjo ka ndezur alarmin në Kiev dhe kryeqytetet evropiane, të cilat frikësohen se tërheqja nga zona të fortifikuara do ta linte Ukrainën rrezikshëm të ekspozuar ndaj sulmeve të tjera ruse.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG