Çfarë ndodhi në Uashington?
Të dashur lexues,
Në fund të këtij raportimi të drejtpërdrejtë po ju lëmë me një përmbledhje të asaj se çfarë ndodhi gjatë takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderët kryesorë evropianë:
Trump u takua fillimisht me Zelenskyn në takim dypalësh dhe pastaj i priti në një takim shumëpalësh liderin ukrainas, shefin e NATO-s Mark Rutte, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez Alexander Stubb, dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Në fund, Trump tha se zhvilloi bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke shtuar se kanë nisur përgatitjet për një takim mes Zelenskyt dhe Putini.
Kremlini ka konfirmuar se Trump dhe Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike gjatë vizitës së Volodymyr Zelenskyt dhe liderëve evropianë në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas ndihmësit të Putinit, Yuri Ushakov, biseda ka zgjatur 40 minuta dhe ishte “e hapur” dhe “mjaft konstruktive”.
Rreth garancive të sigurisë, Trump tha se SHBA-ja është e gatshme të ofrojë garanci të tilla për Ukrainën në bashkërendim me Evropën.
“Gjatë takimit diskutuam për garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofrohen nga vendet evropiane në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Të gjithë janë shumë të kënaqur për mundësinë e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Ndërkohë, disa prej liderëve evropianë kërkuan armëpushim.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një takim katërpalësh mes Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve, si përgjigje ndaj synimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ulur në një tryezë presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.
“Mendoj se si hap i radhës do të na duhet ndoshta një takim katërpalësh, sepse kur flasim për garanci sigurie, flasim për sigurinë e tërë kontinentit evropian”, tha Macron.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë para samitit të liderëve, duke kundërshtuar kështu thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për të punuar drejt një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Unë nuk mund ta imagjinoj që takimi i radhës të zhvillohet pa një armëpushim, prandaj të punojmë në këtë drejtim dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha Merz.
Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, i tha Trumpit se gatishmëria e tij për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë përbën “përparim të madh” dhe se “e bën të gjithë ndryshimin”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Von Der Leyen, bëri thirrje për të punuar së bashku për “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ndërsa kryeministrja e Italisë, Meloni, e quajti takimin “ditë të rëndësishme dhe fazë të re”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se beson se ata mund të bëjnë “përparim real” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë.
Ai tha se një takim trepalësh është “hapi i arsyeshëm i radhës”.
Me atë takim të mundshëm dhe me garancitë e sigurisë, ky do të ishte hap “historik” përpara, tha ai.
“Po flasim për sigurinë, jo vetëm të Ukrainës, por edhe për sigurinë e Evropës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, prandaj kjo është një çështje shumë e rëndësishme”.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, tha se fakti që ata ishin ulur rreth tryezës ishte shumë domethënës – duke treguar se “ekipi evropian dhe ekipi i Shteteve të Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën”.
Ai tha se Finlanda ka kufi të gjatë me Rusinë dhe kishte përjetuar sfidat e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Stubb shtoi se “ne gjetëm një zgjidhje në vitin 1944, dhe jam i bindur se edhe në vitin 2025 do të mund të gjendet një zgjidhje për ta përfunduar luftën agresore të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Faleminderit që na ndoqët!
Trump thotë se kanë nisur përgatitjet për takim mes Zelenskyt dhe Putinit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka zhvilluar një “takim shumë të mirë” me liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, takim që vazhdoi më pas edhe në Zyrën Ovale.
“Gjatë takimit diskutuam për garancitë e sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofrohen nga vendet evropiane në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Të gjithë janë shumë të kënaqur për mundësinë e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Ai shtoi se në përfundim të takimeve ka telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka nisur përgatitjet për një takim mes tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një lokacion ende të pacaktuar.
“Pas atij takimi do të mbahet një takim trilateral, ku do të marrin pjesë dy presidentët dhe unë”, tha Trump, duke shtuar se zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff po koordinojnë me Rusinë dhe Ukrainën.
“Ky ishte një hap shumë i mirë dhe i hershëm për një luftë që po vazhdon pothuajse katër vjet”, theksoi presidenti amerikan.
Kremlini ka konfirmuar se Trump dhe Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike gjatë vizitës së Volodymyr Zelenskyt dhe liderëve evropianë në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas ndihmësit të Putinit, Yuri Ushakov, biseda ka zgjatur 40 minuta dhe ishte “e hapur” dhe “mjaft konstruktive”.
Ai shtoi se dy presidentët kanë diskutuar “idenë për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së nivelit të përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit në bisedime”.
Përfundon takimi i përbashkët i Trumpit me Zelenskyn dhe liderët evropianë
“Takimi shumëpalësh në East Room ka përfunduar”, tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim për media.
Trump kishte thënë më herët se do t’i ftonte përsëri për vizitë në Zyrën Ovale para se ata të ktheheshin në vendet e tyre përkatëse.
Raportohet se Trump ndërpreu bisedimet me liderët evropianë për t'i telefonuar Putinit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ndërpreu bisedimet e tij në Uashington me liderët evropianë për t’i telefonuar presidentit rus, Vladimir Putin, tha një diplomat i BE-së për agjencinë Reuters.
Sipas diplomatëve, bisedimet do të vazhdojnë pas thirrjes telefonike, të cilën Trump fillimisht kishte thënë se do ta zhvillonte pasi të konsultohej me liderët evropianë.
Gazeta gjermane Bild raportoi e para për këtë telefonatë.
Në Uashington, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky e shoqërojnë liderët e Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë, Finlandës dhe të Bashkimit Evropian, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s.