Sulmet ruse vrasin civilë ukrainas para takimit të rëndësishëm në Uashington
Sulmet ruse me dronë goditën një ndërtesë banimi në qytetin lindor ukrainas të Harkivit, para një takimi të rëndësishëm në Uashington ndërmjet udhëheqësve të Ukrainës, atyre evropianë dhe të SHBA-së.
Prefekti i Harkivit tha më 18 gusht se të paktën 7 persona u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën. Qyteti i Zaporizhjas, po ashtu, u godit nga sulme të përgjakshme.
Në përgjithësi, sulmet ruse gjatë natës në qytetet ukrainase i vranë 10 njerëz. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i quajti sulmet “përpjekje cinike” për t’i minuar bisedimet në Uashington.
Udhëheqësit evropianë fillojnë të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë
Në Shtëpinë e Bardhë kanë nisur të mbërrijnë udhëheqësit evropianë, përpara takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
I pari që arriti ishte sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Më pas, në Shtëpinë e Bardhë hyri presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pas saj mbërriti kryeministri britanik, Sir Keir Starmer.
Pas tij mbërriti kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Zelensky: Qëllimi ynë kryesor është paqja e besueshme dhe qëndrueshme
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i takoi liderët kryesorë evropianë, për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington.
Në një postim në llogarinë e vet në X, Zelensky tha se “qëllimi ynë kryesor” është paqja e besueshme dhe e qëndrueshme për Ukrainën dhe për mbarë Evropën.
“Dhe është e rëndësishme që dinamika e të gjitha takimeve tona të çojë pikërisht në këtë rezultat. Ne e kuptojmë se nuk duhet të presim që Putini të heqë dorë me dëshirë nga agresioni dhe përpjekjet e reja për pushtim. Prandaj, presioni duhet të funksionojë, dhe ai duhet të jetë presion i përbashkët – nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe nga të gjithë në botë që respektojnë të drejtën për jetën dhe rendin ndërkombëtar”, shkroi ai.
Ai i falënderoi partnerët e Kievin që po punojnë për t’i dhënë fund vrasjeve dhe luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Së bashku me liderët e Finlandës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Komisionit Evropian dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ne kemi koordinuar qëndrimet tona para takimit me presidentin Trump. Ukraina është gati për një armëpushim të vërtetë dhe për vendosjen e një arkitekture të re sigurie. Na duhet paqja”, shtoi ai.
Mbërrijnë edhe kancelari gjerman, presidenti i Finlandës dhe presidenti francez Shtëpinë e Bardhë
Në Shtëpinë e Bardhë kanë mbërritur gjithashtu edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.