Izraeli kryen sulme në perëndim të Iranit
Ushtria izraelite tha se ka kryer një valë të re sulmesh të dielën, që kanë shënjestruar caqe ushtarake, përfshirë raketahedhës në perëndim të Iranit, pasi SHBA-ja sulmoi centralet bërthamore iraniane.
Forcat ajrore nisën “një seri sulmesh ndaj caqeve ushtarake në Iranin perëndimor”, thuhet në një deklaratë ushtarake, ku shtohet se “kanë goditur vende nga ku lëshohen raketat drejt Izraelit, ushtarë të forcave të armatosura iraniane, dhe kanë neutralizuar me shpejtësi pajisjet ushtarake që pak më parë kishin lëshuar raketa drejt Izraelit”.
Rebelët Huthi dhe Hamasi dënojnë sulmet amerikane
Grupi radikal palestinez, Hamas, dhe rebelët jemenas Huthi, kanë dënuar sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Dy grupet, që mbështeten nga Irani, janë të shpallura organizata terroriste nga SHBA-ja.
Reblët Huthi u zotuan për mbështetjen e Iranit në luftën e tij kundër “sionistëve dhe agresionit amerikan”.
Byroja politike e grupit jemenas u bëri thirrje shteteve myslimane që të bashkohen në një front të përbashkët, kundër Izraelit dhe SHBA-së.
Libani thotë se s’dëshiron të përfshihet në konflikt
Reagime për sulmet amerikane në Iran ka pasur edhe nga Libani, shtet që gjendet në kufi me Izraelin.
Kryeministri i këtij shteti, Nawaf Salam, tha se Libani nuk duhet të përfshihet në konflikt, nëse ai përhapet në mbarë rajonin e Lindjes së Mesme.
“Për ne është gjithnjë e më e rëndësishme që t’i përmbahemi interesit më të lartë kombëtar, që është nevoja për të shmangur përfshirjen e Libanit... në konfrontimin rajonal, në çfarëdo forme”, tha Salam.
Shefi i OKB-së “i alarmuar” pas sulmeve amerikane
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se është “i alarmuar” nga përdorimi i forcës nga SHBA-ja.
“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake. Rruga e vetme përpara është diplomacia”, shtoi ai përmes një postimi në X.