Starmer i bën thirrje Iranit të kthehet në tavolinën e bisedimeve
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i bëri thirrje Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, duke shtuar se stabiliteti në Lindjen e Mesme mbetet prioritet.
“Programi bërthamor i Iranit paraqet kërcënim të madh për sigurinë ndërkombëtare. Irani nuk duhet të lejohet kurrë që të zhvillojë armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërmarrë veprime për ta minimizuar këtë kërcënim”, tha Starmer, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e tij.
Agjencia e OKB-së nuk raporton për rritje të rrezatimit në Iran
Agjencia e OKB-së për Energji Bërthamore tha se nuk ka vërejtur rritjen e niveleve të rrezatimit në objektet kryesore bërthamore të Iranit, pas sulmeve amerikane.
“Pas sulmeve në tre objektet bërthamore në Iran... Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore mund të konfirmojë se deri më tani nuk është raportuar që në këtë objekte ka rritje të rrezatimit”, tha kjo agjenci përmes një postimi në X.
Irani kryen sulme në Izrael
Forcat e armatosura iraniane kanë goditur disa caqe në Izrael, përfshirë aeroportin Ben Gurion, pasi SHBA-ja ia sulmoi objektet kryesore bërthamore.
Agjencia e lajmeve Fars raportoi se u sulmua një aeroport, “një qendër për kërkime biologjike”, bazat logjistike dhe disa qendra komanduese.
Të paktën 16 persona u plagosën në Izrael, tha shërbimi për emergjenca i Izraelit, përfshirë “një 30-vjeçar i cili është plagosur në pjesën e sipërme të trupit nga copëzat e një predhe”.
Pse centrali bërthamor iranian Fordo është aq i vështirë të shkatërrohet?
Fordo është impiant bërthamor për pasurim të uraniumit në Iran, i cili sigurohet rreptë dhe është i fshehur thellë në një mal afër qytetit Kom.