Haradinaj: Mund të ketë votim të fshehtë për një Qeveri të pazareve
Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se edhe pse nuk beson se “do të ketë zgjidhje” për të formuar një Qeveri të re sot, kjo gjë mbetet të shihet sot gjatë seancës.
Por, ai shtoi se edhe nëse do të arrihen numrat për të formuar Qeverinë e re, “ kjo do të jetë një Weveri e pazareve e jo e programeve”.
“Nëse kanë arritur gjatë natës me pazare individuale, atëherë mbetet të shihet. Sa kam informata, do të tentohet me votim të fshehtë”, tha Haradinaj.
Ai aludoi në deklarimet që kanë bërë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje më parë se do të tentojnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme përmes marrëveshjeve individuale me deputetë.
Vonesë në nisje të seancës
Ndonëse seanca është thirrur në orën 10:00 tashmë është bërë praktikë që ato të nisin me vonesë.
Njohës të çështjeve politike e kanë kritikuar disa herë këtë qasje të deputetëve, duke e konsideruar mosrespekt ndaj institucioneve shtetërore dhe publikut.
Limaj: Nuk kam ndryshuar qëndrim
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me votën për Lëvizjen Vetëvendosje sot në Kuvend.
Ai ka thënë se nuk është kontaktuar në ditët e fundit nga kjo parti.
Limaj ka thënë disa herë se është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo parti që të kontribuojë në Kuvend, por nuk është i interesuar që të jetë pjesë e ndonjë përbërjeje qeveritare.
Megjithatë, me raste ai ka deklaruar edhe që nuk do të lejonte që shteti të shkonte në zgjedhje të reja.
Partia e tij i ka tre deputetë në Kuvend.
Disa deputetë mbërrijnë në sallë, votimi në mënyrë elektronike
Mbi dhjetë minuta pas orarit kur seanca e sotshme pritej të niste, tash në sallë kanë mbërritur disa prej deputetëve.
Në sallë shihen deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
Në secilën ulëse të sallës tashmë janë shpërndarë disa fleta ku deputetët udhëzohen se si të votojnë përmes sistemit elektronik, duke lënë të kuptohet që këtë herë votimi s’do të bëhet me ngritje të dorës, por në mënyrë elektronike.