Ndërlidhjet

Albin Kurti.
Albin Kurti.

Kurti nuk i siguron votat për Qeveri të re

• Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

• Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

• Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.

• Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

08:28 26.10.2025

Përshëndetje të gjithëve,

Përmes këtij blogu po e nisim mbulimin e drejtpërdrejtë të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së re, dhe zhvillimeve tjera lidhur me të.

Seanca është thirrur në orën 10:00 dhe e ka vetëm një pikë në rend të ditës: votimin e Qeverisë së re.

Është krejtësisht e paqartë nëse Kosova do të bëhet sot me ekzekutiv të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Faleminderit që jeni me ne!

08:32 26.10.2025

Të gjithë sytë të Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatar për formim të Qeverisë së re.

Ai e ka marrë mandatin nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 11 tetor, një ditë pas konstitiuimit të Kuvendit.

Partia e Kurtit ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për të qeverisur vetë.

Pavarësisht se anëtarë të partisë së tij kanë përmendur se janë zhvilluar negociata me disa parti politike, në publik nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë koalicion.

08:40 26.10.2025

Çka nëse Kurti nuk i siguron votat e nevojshme?

Për ta zgjedhur Qeverinë e re, një mandatari i duhen të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 ulëse.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.

Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe - në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.

Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

08:47 26.10.2025

Deklaratat e Kurtit ditëve të fundit

Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Duke folur në një takim me diasporën në Londër Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti më 21 tetor.

E diela e 26 tetorit është afati i fundit për të që të propozojë përbërjen e re qeveritare para Kuvendit.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG