Ndërlidhjet

Albin Kurti.
Albin Kurti.

Kurti nuk i siguron votat për Qeveri të re

• Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

• Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

• Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.

• Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

16:07 26.10.2025

Lexues të nderuar,

Po e mbyllim këtu mbulimin e drejtpërdrejtë të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re.

  • Seanca përfundoi pa zgjedhjen e ekzekutivit të ri, pasi mandatari, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme.
  • Partitë e mëdha shqiptare paralajmëruan qysh në nisje të seancës se nuk kanë votë për të dhe që besojnë se zgjedhjet e reja janë shpëtimi i vetëm për vendin.
  • Kurti tha që nuk beson në atë skenar, pasi në mungesë të institucioneve do të rrezikohet miratimi i buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm dhe miliona euro fonde të huaja, për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
  • Përgjatë prezantimit të programit dhe kabinetit të ri qeveritar, Kurti e prezantoi një ekip prej 20 ministrash, për dallim prej 15 ministrive sa i ka vendi tani.
  • Votë për Kurtin nuk patën as deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – të cilët thanë se ai ka punuar në qeverisjet e kaluara kundër komunitetit serb.
  • Për hapat e mëtejmë duhet të ndërhyjë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Sipas Kushtetutës, ajo tani duhet të propozojë mandatarin e dytë, por marrë parasysh se Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, deklaroi sot se nuk e ka shumicën, duket se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Ato duhet të mbahen 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
  • Pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë, zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë me muaj, por edhe në anën tjetër kanë thënë se nuk shohin ndryshim rezultati në zgjedhjet e reja.
  • Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, por vetëm 48 ulëse në Kuvend, të pamjaftueshme për të qeverisur vetë me vendin.

Më poshtë e gjeni një video përmbledhëse të zhvillimeve kryesore në Kuvend.

Faleminderit që ishit me ne!

“Drejt zgjedhjeve”: Kurti s’e bën Qeverinë 
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:43 0:00
15:12 26.10.2025

Çfarë mund të sjellin zgjedhjet e reja?

Ndonëse shumë pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë, zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë me muaj, në anën tjetër ata nuk shohin ndryshim rezultati në rast se mbahen zgjedhjet e reja.

Agon Maliqi, njohës i zhvillimeve politike, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se nuk pret ndryshime të mëdha në rezultate.

Sipas tij, situata mund të ndryshojë vetëm në rast se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate dështojnë që ta kalojnë pragun në Kuvend.

Të dyja këto parti kanë arritur koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Si përfundim, Aleanca i ka siguruar pesë ulëse në Kuvend, ndërsa Nisma tre të tjera.

Pragu që duhet të kalojë një parti për të hyrë në Kuvend është 5 për qind e numrit të përgjithshëm të votave.

12:39 26.10.2025

Çka tani?

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë.

E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

12:37 26.10.2025

Murati: Modeli që kemi ofruar ne, është refuzuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, njëherësh ministër në detyrë i Financave, i ka akuzuar deputetët e partive tjera se e kanë vendosur përpara inatin dhe kanë vendosur të barrikadohen në vend që ta shohin interesin shtetëror.

Ai ka thënë se partia të cilës i takon nuk është vonuar asnjë ditë dhe prej certifikimit të rezultateve i ka kryer të gjitha detyrat brenda afateve kushtetuese.

“Të gjitha zvarritjet, të gjitha vonesat, siç është parë edhe sot, kanë qenë në mënyrë që të bllokohet qoftë formimi i Kuvendit, qoftë formimi i Qeverisë nga fituesi i zgjedhjeve dhe të krijohet një ambient kur të gjitha partitë opozitare barrikadohen dhe ankohen pse nuk ka marrëveshje politike, por kur atyre u ofrohet e njëjta, ato refuzojnë”.

I pyetur pse është propozuar emri i Dimal Bashës për ministër, kur ai veçse është kryetar Kuvendi, Murati ka thënë se emri i tij për pozitën e ministrit të Infrastrukturës ka qenë i vendosur qysh më herët.

“Por, neve na është imponuar, siç e dini, edhe unë kam qenë i propozuar për postin e kryetarit të Kuvendit, kanë qenë edhe ministret [Arbërie] Nagavci e [Donika] Gërvalla, kemi qenë të propozuar si alternativa në momentin kur opozita e bllokonte konstituimin e Kuvendit, duke refuzuar votën për kandidaten për një pozitë që me Kushtetutë na takonte neve”.

Hekuran Murati.
Hekuran Murati.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG