Hasani: Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, aktualisht profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, konsideron se seanca e Kuvendit të Kosovës që mbahet sot është jokushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të realizuar të premten Hasani ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ngutur që të dekretojë kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e ekzekutivit.
Konstituimi i Kuvendit është kontestuar nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasi nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve serbë u zgjodh Nenad Rashiq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Sipas kësaj partie, me zgjedhjen e Rashiqit janë kryer shkelje kushtetuese.
Çfarë ka thënë presidentja Osmani?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të premten se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e së dielës, atëherë ajo do t’i ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund t'i sigurojë 61 votat e nevojshme.
“Nëse s’ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën”, ka thënë Osmani në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe.
“Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëse nuk krijohet shumica. Në fakt, mbetet e vetmja alternativë sipas Kushtetutës”.
Bekë Berisha pret të ketë zgjedhje të parakohshme
Deputeti i zgjedhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se ai pret që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi që nuk beson se mandatari për postin e kryeministrit, Albin Kurti, ka siguruar 61 votat e nevojshme.
“Ne s’kemi marrëveshje për këtë Qeveri, unë s’kam votë për këtë Qeveri”, tha Berisha për gazetarët, në hyrjen para Kuvendit të Kosovës.
Tashmë në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur edhe shumë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët megjithatë s’janë prononcuar.
PDK s'ka votë për Vetëvendosjen
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë të dielën se partia e tij e ka bërë të qartë se në asnjë rrethanë nuk do të jetë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë votë për të.
I pyetur nëse PDK-ja do ta marrë mandatin për të formuar Qeverinë, në rast se Kurti dështon, ai ka thënë se për atë gjë do të ketë qëndrim zyrtar të partisë.
Duke hyrë në Kuvend, Tahiri nuk është deklaruar nëse partia të cilës i takon është më pro marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë, apo për zgjedhje të reja.
Edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar disa herë se nuk dëshiron koalicion me PDK-në.