KDI: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja më optimale
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është shprehur i zhgënjyer nga dështimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të formuar Qeverinë e re, duke thënë se ky është një “zhvillim zhgënjyes pas kësaj krize të zvarritur institucionale”.
“Ky rezultat është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së dialogut politik dhe e dështimit për të arritur marrëveshje që do të mundësonin funksionimin normal të institucioneve të vendit”, thuhet në reagimin e KDI-së të publikuar në rrjetin social Facebook.
Si pasojë e “bllokadës dhe polarizimit të thellë politik”, KDI-ja thotë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të ishin zgjidhja më e mirë.
“Në këto rrethana, zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfaqësojnë opsionin më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për t’i dhënë fund kësaj krize dhe për t’i rikthyer qytetarëve mundësinë për të përcaktuar drejtimin politik të vendit”, thuhet në reagim.
Megjithatë, ky institut theksoi se as zgjedhjet nuk garantojnë se do të formohen institucionet e reja, nëse nuk ka vullnet për konsensus politik dhe kompromis.
Bajrami: Po shkojmë drejt zgjedhjeve
Hykmete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se votimi në seancën e sotshme e ka dëshmuar që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e nevojshme për të formuar një Qeveri të re, edhe pse këtë gjë e kishte thënë vazhdimisht.
Kur partitë nuk arrinin të pajtoheshin për postin e kryetarit të Kuvendit, përfaqësues të LVV-së thonin se ata s’kishin numra për këtë post, por i kishin votat e nevojshme për Qeveri të re.
“U vërtetua ajo që e kemi ditur që nga fillimi që LVV-ja, edhe pse fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e re”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se “ajo që ndodhi sot është që ne po shkojmë drejt procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Memli Krasniqi: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas seancës se sot është vërtetuar që “Albin Kurti po e mban vendin peng”.
“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolim, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”.
Ai ka thënë se secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën.
Krasniqi ka thënë se nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën për Qeverinë e re, ai do t’i thotë thjesht “jo”, sepse nuk duhet pasur më shumë vonesa dhe që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Limaj: Hap i pamjaftueshëm, Basha s’duhet të ketë asnjë post publik
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se propozimi i mandatarit Albin Kurti nuk mori përkrahjen e tre deputetëve të partisë së tij për shkak të Dimal Bashës.
Ai tha se deputetët e partisë së tij kanë abstenuar.
Basha, që aktualisht e ka postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, u propozua për postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, duke lënë kështu të hapur postin e kryetarit të Kuvendit që në fillim e kishte synuar Limaj.
“Është hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”, tha Limaj, pas seancës.
Për Limajn, emri i Bashës në institucione është i papranueshëm, për shkak të përfshirjes së tij në një punim që flet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.