Kur dukej se Kuvendi i Kosovës po shkonte drejt konstituimit, procesi u bllokua te zgjedhja e nënkryetarit nga Deputetët refuzuan ta votonin kandidatin e Listës Serbe – partia serbe e mbështetur nga Beogradi dhe më e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me 9 vende.
Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
As Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe..
Përpjekja e radhës për ta përmbyllur këtë proces është caktuar për 28 gusht - në ditën e dhjetë të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Por, çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet - e gjasat janë, nëse konfirmohen “shkeljet” që i kanë potencuar disa ekspertë gjatë zgjedhjes së katër prej pesë nënkryetarëve?
*Video: Çfarë ndodhi gjatë 26 gushtit në Kuvendin e Kosovës?
Your browser doesn’t support HTML5
Kuvendi zgjedh kryetarin, por bllokohet te nënkryetari serb
Gjykata Kushtetuese nuk e ka sqaruar këtë dhe as nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet me shkrim të Radios Evropa e Lirë lidhur me arsyet pse nuk ka përcaktuar pasoja për shkelësit e mundshëm.
Një skenar i ngjashëm është shpërfaqur edhe më 26 qershor, kur Kushtetuesja ka lëshuar një aktgjykim po për këtë çështje, pa i caktuar sanksionet, e që gjithashtu nuk është respektuar.
Pse nuk u finalizua konstituimi i Kuvendit?
Më shumë se gjysmë viti pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht.
Po të njëjtën ditë u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare dhe një nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te zgjedhja e nënkryetarit serb.
Procesi u zhargit me muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe devijimeve nga rendi i ditës, dhe përfundoi në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë opozitarë të legjislaturës së kaluar.
Më 26 qershor, Gjykata urdhëroi Kuvendin të konstituohej brenda 30 ditësh, por afati u injorua.
Më 24 korrik, Kushtetuesja ndaloi mbajtjen e seancës konstituive pas skadimit të afatit, ndërsa më 8 gusht urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit përmes votimit të hapur.
Aktgjykimi u publikua më 18 gusht, duke nisur një afat të ri.
Ruajtja e standardit dhe mirëbesimit
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se Gjykata Kushtetuese ka shmangur qëllimisht përcaktimin e pasojave të moszbatimit në vendimet e fundit, për të ruajtur standardin e vitit 2014, sipas të cilit partia fituese ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.
“Kushtetuesja ka tentuar ta ruajë këtë standard si në qershor, ashtu edhe në gusht”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ky institucion ka vepruar parimisht drejt, duke mos i paragjykuar deputetët e Kuvendit dhe partitë politike për zbatimin ose moszbatimin e vendimit të tij.
SHIKONI EDHE: A duhet partitë të jenë më bashkëpunuese për konstituimin e Kuvendit?“Gjykata niset gjithmonë nga fakti që vendimet e saj, Kushtetuta, zbatohen në mirëbesim dhe jo në bazë të inateve personale, partiake e të tjera”, thotë Miftaraj.
Megjithatë, sipas tij, Kushtetuesja është dashur të vendoste një masë ndëshkuese ndaj kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili kishte devijuar rendin e ditës, duke kërkuar krijimin e një komisioni për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës.
"Ndrojtja" e Kushtetueses nga politika
Mungesën e një sanksioni ndaj Deharit e ka theksuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 24 gusht.
Ai ka thënë se gjykata e ka shmangur qëllimisht përcaktimin e pasojave, duke u mbështetur në mirëbesimin e deputetëve dhe duke vepruar, siç është shprehur, “me një lloj ndrojtjeje”.
“Arsyeja përse Gjykata nuk po i vë në dukje pasojat juridike-kushtetuese për individët që në mënyrë specifike pengojnë dhe rrënojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, lidhet - nga njëra anë - me frikën nga politika dhe reagimet e saj irracionale”, ka thënë Hasani, duke përmendur në mënyrë specifike fituesen e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe “brutalitetin me të cilin ajo ka ftuar për linç ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.
SHIKONI EDHE: Hasani: Kuvendi mund të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizjeNë të njëjtën linjë me Hasanin, analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Gjykata Kushtetuese ka qenë nën presion të madh, sidomos para aktgjykimit të 26 qershorit - çka ka prodhuar vendime të paqarta dhe të hapura për interpretime të ndryshme nga partitë dhe opinioni publik.
Sipas tij, Gjykata e ka shmangur përcaktimin e masave ndaj shkelësve për shkak të “ndrojtjes nga presionet publike e jopublike”, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ajo (LVV) e ka një qasje tashmë shumë të qartë: kur Gjykata Kushtetuese jep një aktgjykim që i shkon në favor, e lëvdon atë. Kur jep një aktgjykim që nuk i shkon në favor, e linçon dhe i prezanton edhe emrat që e kanë marrë atë vendim. Pra, është një presion i hatashëm”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Vetëvendosje e ka cilësuar vendimin e fundit të Kushtetueses si “arbitrar”, ndonëse udhëheqësi i saj, Albin Kurti, ka premtuar se do të respektojë çdo vendim.
SHIKONI EDHE: Kurti: Gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e KushtetuesesPa u publikuar aktgjykimi i plotë, por pasi është shpallur nga Kushtetuesja më 8 gusht, deputeti i Vetëvendosjes, Sali Zyba, ka publikuar emrat e gjykatësve të Kushtetueses, duke thënë se “duan t’ia marrin të drejtën LVV-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit”.
Një postim të ngjashëm në Facebook e ka bërë edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Miftaraj dhe Muhaxhiri theksojnë se, nëse Kuvendi dështon të konstituohet plotësisht deri më 18 shtator, deputetë ose parti politike mund t’i drejtohen Kushtetueses për qartësimin e pasojave juridike - gjë që do ta detyronte Gjykatën t’i përcaktonte hapat për tejkalimin e ngërçit institucional.
Edhe Hasani ka paralajmëruar se gjykata mund të vihet në lëvizje nëse afati 30-ditor nuk respektohet.
Kërkesë të ngjashme ka bërë më herët presidentja Vjosa Osmani, por e ka tërhequr atë, për shkak se si raportues për shqyrtimin e kërkesës së saj është caktuar gjykatësi Radomir Llaban, të cilin ajo e konsideron “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Edhe pse Osmani e ka tërhequr kërkesën, Hasani ka thënë se Kushtetuesja ka të drejtë ta vazhdojë procedurën.
Pas zgjedhjes së Bashës kryekuvendar, Osmani ka shfaqur shpresën që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet sa më parë, në përputhje me Kushtetutën.
SHIKONI EDHE: Osmani tërheq kërkesën në Kushtetuese për seancën konstituive për shkak të gjyqtarit LlabanMegjithatë, çështja mund të vazhdojë të zvarritet, pasi disa njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve ka qenë jokushtetues.
Sipas tyre, votimi për nënkryetarët nga komunitetet pakicë nuk mund të ndahet, siç ka ndodhur në seancën e 26 gushtit.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme, sipas të cilave pesë nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara”, është thënë në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.
Edhe Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka thënë se procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
“Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët”, ka thënë ai.
Kjo është hera e parë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës zhvillohet me 58 vazhdime pa u përmbyllur. Përpjekja e 59-të është caktuar për 28 gusht.