Ndërlidhjet

Kushtetuesja obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, reagojnë partitë

E përditësuar

Vazhdimi i seancës konstituive më 3 maj 2025.
Vazhdimi i seancës konstituive më 3 maj 2025.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.

Seanca konstituive, e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, ka nisur më 15 prill dhe deri më tani janë zhvilluar 37 vazhdime të saj – por, deputetët nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Në vendim, Kushtetuesja tha se seanca konstituive e nisur më 15 prill konsiderohet e papërfunduar për shkak se ende nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët.

Sipas Kushtetueses, në bazë të nenit 66 të Kushtetutës (Zgjedhja dhe Mandati), kjo seancë është dashur të përmbyllet brenda 30 ditëve nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve.

Më 27 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Gjykata theksoi se seanca konstituive e Kuvendit është një akt kushtetues dhe si i tillë realizohet vetëm pas përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”, u tha në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Çfarë thuhet në aktgjykim?

Në aktgjykim, Kushtetuesja tha se mandati i deputetit dhe ai i Kuvendit është i ndërlidhur dhe përfaqësimi i popullit nga deputetët nuk mund të jetësohet pa konstituimin e Kuvendit.

Për konstituimin e Kuvendit, në aktgjykim u tha se të gjithë deputetët duhet të votojnë.

"Zgjedhja e kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës", u tha në vendim.

Gjykata kujtoi se partia fituese, në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje, e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Megjithatë, Kushtetuesja tha se kjo e drejtë njëkohësisht është detyrim për grupin më të madh parlamentar për "bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm".

"Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit", u tha në aktgjykim, ku u shtua se ky detyrim "vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit".

Gjykata Kushtetuese tha se është detyrë dhe e drejtë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit.

Reagimet

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke komentuar aktgjykimin, tha se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar".

“Të gjitha partitë duhet të angazhohen për ta konstituuar Kuvendin, sidomos ato që propozojnë anëtarë në Kryesinë e Kuvendit. Të gjithë deputetët e kanë për obligim të marrin pjesë në votim. S’ka nevojë as të pritet 30 ditë. Që nesër mund të procedohet me votim të fshehtë dhe kjo punë kryhet”.

Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”.

“Gjykata Kushtetuese dha qartësi: zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të ndodhë brenda 30 ditëve”, tha Krasniqi.

“Na vjen mirë që Gjykata Kushtetuese i dha fund kësaj loje të qëllimshme vonesash nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, duke e bërë të qartë se ata nuk kanë të drejtë ta bllokojnë procesin dhe se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Ky aktgjykim duhet të zbatohet menjëherë. Sa më shpejt, aq më mirë për vendin”, shtoi ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se e mirëpret vendimin e Kushtetueses, që sipas saj përcaktoi se Lëvizja Vetëvendosje "nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare".

"Po ashtu, siç e përcakton neni 187 i aktgjykimit, kryesuesi i seancës konstituive duhet të respektojë dispozitat kushtetuese, Kapitullin IV të Rregullores së Punës së Kuvendit dhe praktikat e deritashme parlamentare, si dhe t’i kthehet skenarit të dakorduar të seancës konstituive për të proceduar me votim të hapur", tha LDK-ja në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo parti nuk mund të mos shprehet e lehtësuar që kërkesa e saj për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është “pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”.

“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, tha Haradinaj në Facebook.

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, shkroi në rrjetet sociale se edhe një herë, Gjykata Kushtetuese ka shpëtuar shtetin, duke ndalur, siç i quajti ai, përpjekjet e "një kaste të papërgjegjshme politike për ta rrënuar sistemin politik dhe juridik të vendit".

Lënda u dërgua në Kushtetuese nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të tjerë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Kërkesa e tyre kishte të bënte me vlerësimin e kushtetutshmërisë lidhur me ndryshimin e votimit nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nga i hapur në të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun. Pasi për disa herë ajo nuk mori votat e nevojshme në votim të hapur, Dehari njoftoi për ndryshim të votimit në të fshehtë.

PDK-ja dhe AAK-ja refuzojnë ta votojnë Haxhiun, të cilën e vlerësojnë si figurë përçarëse. LVV-ja insiston se ajo e meriton të zgjidhet në këtë post, duke refuzuar thirrjet për ndryshimin e emrit të kandidatit.

Që nga 15 prilli, seanca konstituive ka vazhduar çdo 48 orë - përveç një rasti kur është mbajtur pas 24 orësh - dhe që nga maji, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar që të japin një propozim për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Kjo krizë vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe ka mungesë marrëveshjeje politike mes tyre për të krijuar një shumicë të përbashkët.

Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme. PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG