Urime të tjera…
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ia uroi Dimal Bashës zgjedhjen në krye të Kuvendit.
“Përgëzime Kuvendit të Kosovës për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.
"Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkroi Spiropali në Facebook.
Reagime të tjera për zgjedhjen e Dimal Bashës për kryeparlamentar
Në pritje të vazhdimit të seancës konstituive, e cila po vonon, ju njoftojmë edhe për reagime të tjera ndaj zgjedhjes së Dimal Bashës për kryeparlamentar.
Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, tha se Dimal Basha është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të gazetarëve dhe të aktivistëve në Kosovë.
“Uroj që marrja e pozitës së re do të ndikojë sadopak që Basha të përmbahet dhe të menaxhojë më mirë mosdurimin e tij dhe të partisë së tij ndaj pushtetit të katërt”, shkroi Kusari në Facebook.
Analisti Imer Mushkolaj tha se "për mirë a keq dhe me kosto politike, PDK e zhbllokoi situatën".
Ai kritikoi kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, për deklaratën e tij se "ka fituar injoranca".
"Pse Lumir nuk dhe kontribut me e pengu këtë situatë, pse e lejove "fitoren e injorancës"? Si parti "institucionaliste", LDK e ka pasë mundësinë me vepru, por nuk ka dashtë. Tash kryetari po vajton. Dobët, shumë dobët".
Ambasada gjermane e uron Bashën
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë e ka uruar Dimal Bashën për emërimin e tij në krye të organit ligjvënës të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo shkroi se “shpresojmë se Kosova tani do të jetë në gjendje t’i formojë institucionet.
Ndryshe, gazetarët e REL-it e panë sot në ndërtesën e Kuvendit ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, si dhe ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves.
Abdixhiku: Një fitore e injorancës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar si “një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj”.
“Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë”, shkroi ai në Facebook.
Abdixhiku tha se Basha “përfaqëson nivelin e tyre”.
“Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës”, shtoi ai.
LDK-ja e Abdixhikut votoi kundër Bashës.
“Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”, përfundoi ai.