Kush garon?
Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
Radoniqi: KQZ-ja ka marrë masa që të mos përsëriten problemet e 9 shkurtit
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, e ushtroi të drejtën e votës në një qendër votimi në Pejë.
Pas votimit, ai tha se KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që të mos përsëriten problemet e ngjashme me ato të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.
“Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, ku presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të pajisura me të gjitha pajisjet për numërim”, tha Radoniqi.
Votimi në veri
Në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe, qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Gazetarja e REL-it, Sandra Cvetkoviq, dhe fotoreporteri Bujar Tërstena kanë vizituar Shkollën Teknike në këtë qytet dhe atë Sveti Sava, ku kanë vërejtur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt.
Më poshtë janë disa pamje nga votimet në Shkollën Teknike:
KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë në disa vendvotime të caktuara.
“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit”, deklaroi ai, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.
Në konferencën e parë për media për ditën e sotme, Elezi theksoi se KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur problemet teknike me platformën e rezultateve preliminare.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kjo platformë ka pasur pengesa të vazhdueshme.