Qytetarët në Mitrovicën e Veriut votojnë në grup
Nga qendra e Mitrovicës së Veriut, qytetarët - së bashku me zyrtarë të Listës Serbe - kanë shkuar kolektivisht për të votuar.
Edhe më herët ka qenë praktikë që punonjësit në institucionet e Serbisë në Kosovë, të votojnë në mënyrë kolektive.
Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka udhëhequr Mitrovicën e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - deri në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit e saj janë larguar nga institucionet e Kosovës.
Pas këtij vendimi, komuniteti serb ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2023 dhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në vitin 2024, në përputhje me thirrjet e Listës Serbe.
Largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet ka ndodhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.
Pse dhe si të votoni?
Pse është e rëndësishme të votoni dhe çfarë duhet të dini për zgjedhjet lokale? E shpjegojmë shkurtimisht në këtë video:
Akuza Serbisë për ndërhyrje në zgjedhje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gjatë takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, më 9 tetor, ajo theksoi se Serbia po ndikon përmes “blerjes së votës, frikësimit dhe dhunës” - një praktikë që, sipas saj, është përsëritur ndër vite.
Akuza të ngjashme bëri edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Ai tha se Serbia po ndërhyn duke bërë vendime për vende pune dhe përfitime financiare.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet për zgjedhjet lokale janë hapur në kohë, me përjashtim të ndonjë vonese.
- KQZ-ja ka siguruar se platforma për rezultatet preliminare, e cila gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka pasur pengesa të vazhdueshme, tashmë është funksionale.
- Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në orën 11:30, kur do të njoftohet për pjesëmarrjen e votuesve deri në orën 11:00.
- Zgjedhjet po zhvillohen edhe në komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - të cilat për më shumë se dy vjet kanë qenë nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë.
- Për më shumë informacione rreth këtyre zgjedhjeve, shikoni këtë video.