Çfarë pritet të ndodhë më tej sonte
E hëna ka qenë një ditë e mbushur me takime, dhe nuk ka përfunduar ende.
- Trump pritet të takohet me liderët evropianë që po presin në sallën e darkës shtetërore të Shtëpisë së Bardhë, duke filluar në orën 20:15 me kohën lokale në Kosovë, megjithatë ky takim do të jetë i mbyllur për media.
- Liderët evropianë do të mblidhen pastaj me Trumpin për një fotografi rreth orës 20:30.
- Pas kësaj, do të ketë një takim shumëpalësh midis Trumpit dhe homologëve të tij evropianë, rreth orës 21:00.
- Dhe, në fund, Zelensky do të mbajë konferencë për shtyp, e cila pritet të nisë në orën 22:00.
Zelensky: Ukraina ka nevojë për “të gjithë” mbështetjen nga SHBA-ja
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u pyet në Shtëpinë e Bardhë se çfarë i duhet vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara për të garantuar sigurinë e Ukrainës: Trupa, informata të inteligjencës, apo pajisje?
“Të gjitha”, u përgjigj Zelensky.
Ukraina ka nevojë për një ushtri të fortë ukrainase. Bëhet fjalë për armë, personel, misione trajnimi, informata të inteligjencës, tha ai.
Ai tha se do ta diskutojë këtë me “partnerët tanë”, “vendet e mëdha”, duke përfshirë SHBA-në.
Trump thotë se Putini e “pret telefonatën time” pas takimeve
Presidenti amerikan Donald Trump tha se sapo ka folur me homologun e tij rus, Vladimir Putini, në mënyrë indirekte, duke shtuar se do ta ketë një bisedë telefonike me të më vonë.
“Sapo kam folur me presidentin Putin në mënyrë indirekte, dhe do të kemi një bisedë telefonike menjëherë pas këtyre takimeve sot, dhe mund të kemi ose jo një takim trepalësh”, tha Trump.
Trump shtoi se Putini “po pret thirrjen time kur të përfundojmë këtë takim”.
Trump s’e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme për paqe.
“Do t’ju njoftojmë, ndoshta më vonë sot”, tha Trump.
Trump tha se Evropa do të jetë ajo që udhëheq përpjekjet për sigurimin e paqes, por se SHBA do të jetë e përfshirë.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë aty, Evropa. Por, ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë”, tha ai.
Trump tha se nëse arrihet marrëveshje për paqe, ajo do të jetë e qëndrueshme.
“Unë mendoj se nëse arrijmë paqen, ajo do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha ai.