SHBA thotë se qëndron pranë aleatëve të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha të mërkurën se Uashingtoni qëndron pranë aleatëve të tij, pasi dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës dhe u neutralizuan nga mbrojtja ajrore e NATO-s.
“Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, shkroi në X i dërguari amerikan në aleancë, Matthew Whitaker.
Rusia thotë se nuk kishte planifikuar të sulmonte ndonjë objektiv në Poloni
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dronët e saj kanë kryer një sulm të madh ndaj ndërtesave ushtarake në perëndim të Ukrainës, por pretendoi se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.
Kjo ministri tha se forcat e saj kanë arritur të shënjestrojnë të gjitha caqet gjatë këtij sulmi, duke theksuar se dronët rusë “që pretendohet se kaluan kufirin me Poloninë” kanë një rreze veprimi jo më shumë se 700 kilometra.
“Gjithsesi, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë konsultime me Ministrinë polake të Mbrojtjes për këtë çështje”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Trump do të bisedojë me Nawrockin pas incidentit në Poloni
Presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon që të bisedojë me homologun e tij polak, Karol Nawrocki, të mërkurën, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Polonia tha se rrëzoi tre apo katër dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore të saj. Sipas Varshavës, 19 dronë të Rusisë hynë në hapësirën e saj ajrore më 10 shtator.
Po ashtu, Trump dhe Shtëpia e Bardhë, sipas zyrtarit janë duke ndjekur raportimet për situatën në Poloni.
Çfarë ndodhi në Poloni?
Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga 19 dronë rusë ka ndezur alarmin në NATO dhe në kryeqytetet evropiane.