Ndërlidhjet

Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.
Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.

Inkursioni rus në Poloni: NATO-s i propozohet të vendosë zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore

•Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, thotë se 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmeve mbi Ukrainën perëndimore.

•Tusk thekson se deri në katër dronë u rrëzuan nga aeroplanët polakë dhe të NATO-s, dhe kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni.

•Rusia tha se se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

•Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ambasadori amerikan në NATO tha se SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

•Pas incidentit, analistët kanë thënë se NATO-ja ka shumë opsione për t'u përgjigjur, përfshirë edhe vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore.

14:23 10.9.2025

SHBA thotë se qëndron pranë aleatëve të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha të mërkurën se Uashingtoni qëndron pranë aleatëve të tij, pasi dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës dhe u neutralizuan nga mbrojtja ajrore e NATO-s.

“Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, shkroi në X i dërguari amerikan në aleancë, Matthew Whitaker.


21:44 10.9.2025

Lexues të nderuar,

Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Poloni dhe më poshtë ju sjellim një përmbledhje të gjithë asaj që ndodhi më 10 shtator:

  • Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se mëngjesin e së mërkurës 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të shtetit të tij gjatë sulmeve në Ukrainën perëndimore.
  • Tusk tha se u rrëzuan deri në katër dronë nga avionët polakë dhe të NATO-s. Kjo ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan nga aleanca ushtarake perëndimore.
  • Rusia tha se kreu një sulm të madh në Ukrainë, por nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.
  • Ambasadori amerikan në NATO u zotua se vendi i tij do të mbrojë çdo centimetër të aleancës.
  • Pas incidentit, Tusk zhvilloi bisedime me NATO-n dhe udhëheqës të fuqive evropiane si dhe me zyrtarë ukrainas.
  • Aleatët, tha Tusk, i ofruan Varshavës propozime për mbështetje konkrete për mbrojtjen ajrore të shtetit.
  • Vendet e NATO-s e kanë cilësuar si të rrezikshme këtë incident. Vetë aleanca tha se mbrojtja e saj ajrore u aktivizua dhe siguroi me sukses mbrojtjen e territorit të NATO-s.
  • Analistët e mbrojtjes e kanë parë këtë incident si përshkallëzim të situatës nga Rusia dhe si një test të Moskës ndaj mbrojtjes të NATO-s.

Faleminderit që ishit me ne!

20:46 10.9.2025

Peter Doran: Incidenti në Poloni kërkon përgjigje të fortë nga NATO-ja

Hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore polake është në shumë sesa shkelje e kufirit, tha Peter Doran, hulumtues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, i cili po ashtu shërben në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pasi Polonia u bë shteti i parë i NATO-s që rrëzoi dronë rusë, Doran tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, po teston mbrojtjet perëndimore dhe po e sfidon aleancën dhe presidentin amerikan, Donald Trump, që të përgjigjen.

Çfarë ndodhi në Poloni? Çfarë ndodhi në Poloni?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:39 0:00

Pas kësaj ngjarjeje, ai tha se kërkohet që të vendoset një zonë e ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore, një ide që ishte diskutuar në fillim të pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas Doran, incidenti në Poloni paraqet një përshkallëzim të madh në përpjekjet e Rusisë për “ta shkundur NATO-n”.

“Është një përpjekje për ta testuar përgjigjen e NATO-s dhe më e rëndësishmja përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve të Trumpit për të bërë paqe në Ukrainë”, tha Doran.

Sipas tij, Putin i ka bërë keq llogaritë se Trumpi nuk do t’i bëjë presion që t’i japë fund pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, ai tha se NATO-ja ka shumë opsione për t’u përgjigjur. Më e rëndësishmja, sipas tij, është që të aktivizohet Neni 4 e jo 5 i traktatit të NATO-s.

“Ky është një përshkallëzim i madh nga Putini – shkelja e hapësirës ajrore të NATO-s – dhe kërkon një përgjigje po aq të fortë nga aleanca”.

Pas konsultimeve, siç kërkohet me Nenin 4, Doran tha se NATO-ja duhet të dalë me një mesazh të bashkuar se inkursionet e ardhshme të Rusisë do të përballen me forcë “dhe së bashku me Evropën, me SHBA-në duhet që t’i shndërrojnë në veprime kërcënimet e Trumpit për rritje të sanksioneve ekonomike dhe ndëshkimeve për Rusinë”.

“Më e rëndësishmja është se kjo do të ndalte paratë nga energjia ruse që Putinit i duhen për këtë luftë. Aty qëndron dobësia e tij. Dhe aty ne duhet të bëjmë më së shumti presion”.

Në mënyrë që të parandalohen incidente të tilla në të ardhmen, sipas Doran, NATO-ja duhet të trefishojë mbrojtjen e saj ajrore përgjatë kufirit me Rusinë.

I pyetur nëse kjo mbrojtje shtesë ajrore do të duhej të mbulonte edhe pjesë të Ukrainës, Doran tha se “mendoj se është koha që NATO-ja të zgjasë ombrellën e mbrojtjes së saj ajrore më thellë në Ukrainën perëndimore”.

“Kujtoj se në fillim të vitit 2022 kishte diskutime për një të ashtuquajture zonë të ndalim-fluturimit. Disa shtete të aleancës nuk ndiheshin rehat me këtë opsion, pasi kishin frikë se mund të shihej nga Putini si veprim përshkallëzues. Megjithatë, Putin tani e ka përshkallëzuar situatën kundër NATO-s dhe është koha e duhur që të vendoset një zonë mbrojtëse e ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore”, tha ai.

19:27 10.9.2025

Tusk: Aleatët na kanë ofruar mbështetje për mbrojtjen tonë ajrore

Aleatët evropianë i kanë ofruar Polonisë oferta për të mbështetur mbrojtjen ajrore të Varshavës, tha kryeministri polak, Donald Tusk.

Tusk i bëri këto deklarata në X pasi bisedoi me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Holandës, Ukrainës dhe NATO-s.

“Në bisedat e mia sot... mora jo vetëm shprehje solidariteti me Poloninë, por mbi të gjitha propozime për mbështetje konkrete të mbrojtjes ajrore të shtetit tonë”, tha Tusk, pasi dronë të dyshuar rusë shkelën hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Varshavë, 10 shtator 2025
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Varshavë, 10 shtator 2025
18:16 10.9.2025

Polonia qorton të dërguarin rus pas “sulmit të paprecedent”

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka dënuar futjen e 19 dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, duke e quajtur “sulm të paprecedent jo vetëm ndaj territorit polak, por edhe ndaj territorit të NATO-s”.

I ngarkuari me punë në Ambasadën ruse është thirrur në bisedë pasditen e së mërkurës nga Ministria e Jashtme në Varshavë dhe atij i është dorëzuar një notë proteste, tha Sikorski për gazetarët.

Diplomati rus ka mohuar se dronët ishin rusë.

“Nëse do ta pranonin fajin, do të konsiderohej përparim”, tha Sikorski.

Ai e mohoi mundësinë se ky incident ishte shkelje aksidentale e hapësirës ajrore polake.

Kryediplomati polak, Radoslaw Sikorski. Fotografi nga arkivi.
Kryediplomati polak, Radoslaw Sikorski. Fotografi nga arkivi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG