Polonia qorton të dërguarin rus pas “sulmit të paprecedent”
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka dënuar futjen e 19 dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, duke e quajtur “sulm të paprecedent jo vetëm ndaj territorit polak, por edhe ndaj territorit të NATO-s”.
I ngarkuari me punë në Ambasadën ruse është thirrur në bisedë pasditen e së mërkurës nga Ministria e Jashtme në Varshavë dhe atij i është dorëzuar një notë proteste, tha Sikorski për gazetarët.
Diplomati rus ka mohuar se dronët ishin rusë.
“Nëse do ta pranonin fajin, do të konsiderohej përparim”, tha Sikorski.
Ai e mohoi mundësinë se ky incident ishte shkelje aksidentale e hapësirës ajrore polake.
Tusk: Aleatët na kanë ofruar mbështetje për mbrojtjen tonë ajrore
Aleatët evropianë i kanë ofruar Polonisë oferta për të mbështetur mbrojtjen ajrore të Varshavës, tha kryeministri polak, Donald Tusk.
Tusk i bëri këto deklarata në X pasi bisedoi me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Holandës, Ukrainës dhe NATO-s.
“Në bisedat e mia sot... mora jo vetëm shprehje solidariteti me Poloninë, por mbi të gjitha propozime për mbështetje konkrete të mbrojtjes ajrore të shtetit tonë”, tha Tusk, pasi dronë të dyshuar rusë shkelën hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës.
Peter Doran: Incidenti në Poloni kërkon përgjigje të fortë nga NATO-ja
Hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore polake është në shumë sesa shkelje e kufirit, tha Peter Doran, hulumtues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, i cili po ashtu shërben në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pasi Polonia u bë shteti i parë i NATO-s që rrëzoi dronë rusë, Doran tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, po teston mbrojtjet perëndimore dhe po e sfidon aleancën dhe presidentin amerikan, Donald Trump, që të përgjigjen.
Pas kësaj ngjarjeje, ai tha se kërkohet që të vendoset një zonë e ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore, një ide që ishte diskutuar në fillim të pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas Doran, incidenti në Poloni paraqet një përshkallëzim të madh në përpjekjet e Rusisë për “ta shkundur NATO-n”.
“Është një përpjekje për ta testuar përgjigjen e NATO-s dhe më e rëndësishmja përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjeve të Trumpit për të bërë paqe në Ukrainë”, tha Doran.
Sipas tij, Putin i ka bërë keq llogaritë se Trumpi nuk do t’i bëjë presion që t’i japë fund pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, ai tha se NATO-ja ka shumë opsione për t’u përgjigjur. Më e rëndësishmja, sipas tij, është që të aktivizohet Neni 4 e jo 5 i traktatit të NATO-s.
“Ky është një përshkallëzim i madh nga Putini – shkelja e hapësirës ajrore të NATO-s – dhe kërkon një përgjigje po aq të fortë nga aleanca”.
Pas konsultimeve, siç kërkohet me Nenin 4, Doran tha se NATO-ja duhet të dalë me një mesazh të bashkuar se inkursionet e ardhshme të Rusisë do të përballen me forcë “dhe së bashku me Evropën, me SHBA-në duhet që t’i shndërrojnë në veprime kërcënimet e Trumpit për rritje të sanksioneve ekonomike dhe ndëshkimeve për Rusinë”.
“Më e rëndësishmja është se kjo do të ndalte paratë nga energjia ruse që Putinit i duhen për këtë luftë. Aty qëndron dobësia e tij. Dhe aty ne duhet të bëjmë më së shumti presion”.
Në mënyrë që të parandalohen incidente të tilla në të ardhmen, sipas Doran, NATO-ja duhet të trefishojë mbrojtjen e saj ajrore përgjatë kufirit me Rusinë.
I pyetur nëse kjo mbrojtje shtesë ajrore do të duhej të mbulonte edhe pjesë të Ukrainës, Doran tha se “mendoj se është koha që NATO-ja të zgjasë ombrellën e mbrojtjes së saj ajrore më thellë në Ukrainën perëndimore”.
“Kujtoj se në fillim të vitit 2022 kishte diskutime për një të ashtuquajture zonë të ndalim-fluturimit. Disa shtete të aleancës nuk ndiheshin rehat me këtë opsion, pasi kishin frikë se mund të shihej nga Putini si veprim përshkallëzues. Megjithatë, Putin tani e ka përshkallëzuar situatën kundër NATO-s dhe është koha e duhur që të vendoset një zonë mbrojtëse e ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore”, tha ai.
Lexues të nderuar,
Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Poloni dhe më poshtë ju sjellim një përmbledhje të gjithë asaj që ndodhi më 10 shtator:
- Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se mëngjesin e së mërkurës 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të shtetit të tij gjatë sulmeve në Ukrainën perëndimore.
- Tusk tha se u rrëzuan deri në katër dronë nga avionët polakë dhe të NATO-s. Kjo ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan nga aleanca ushtarake perëndimore.
- Rusia tha se kreu një sulm të madh në Ukrainë, por nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.
- Ambasadori amerikan në NATO u zotua se vendi i tij do të mbrojë çdo centimetër të aleancës.
- Pas incidentit, Tusk zhvilloi bisedime me NATO-n dhe udhëheqës të fuqive evropiane si dhe me zyrtarë ukrainas.
- Aleatët, tha Tusk, i ofruan Varshavës propozime për mbështetje konkrete për mbrojtjen ajrore të shtetit.
- Vendet e NATO-s e kanë cilësuar si të rrezikshme këtë incident. Vetë aleanca tha se mbrojtja e saj ajrore u aktivizua dhe siguroi me sukses mbrojtjen e territorit të NATO-s.
- Analistët e mbrojtjes e kanë parë këtë incident si përshkallëzim të situatës nga Rusia dhe si një test të Moskës ndaj mbrojtjes të NATO-s.
Faleminderit që ishit me ne!