Ndërlidhjet

Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.
Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.

Inkursioni rus në Poloni: NATO-s i propozohet të vendosë zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore

•Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, thotë se 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmeve mbi Ukrainën perëndimore.

•Tusk thekson se deri në katër dronë u rrëzuan nga aeroplanët polakë dhe të NATO-s, dhe kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni.

•Rusia tha se se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

•Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ambasadori amerikan në NATO tha se SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

•Pas incidentit, analistët kanë thënë se NATO-ja ka shumë opsione për t'u përgjigjur, përfshirë edhe vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore.

10:44 10.9.2025

NATO: Për herë të parë avionët përballen me kërcënime në hapësirën ajrore të një aleati

NATO ka thënë se është në kontakt të ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë pas hyrjes së disa dronëve në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, gjenerali i Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Alexus Grynkewich – komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s – tha se Aleanca po e ndjek nga afër situatën.

Një zëdhënës i NATO-s shtoi se ishte hera e parë që avionët e saj janë angazhuar përballë kërcënimeve të mundshme brenda hapësirës ajrore të një aleati.


10:46 10.9.2025

Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha në parlament se gjatë natës janë shënuar 19 hyrje të paautorizuara në hapësirën ajrore polake, pjesa më e madhe e dronëve duke ardhur nga Bjellorusia. Ai shtoi se është konfirmuar rrëzimi i tre dronëve, ndërsa një i katërt ka shumë gjasa të jetë goditur.

“Fakti që këta dronë, të cilët paraqisnin kërcënim për sigurinë, u rrëzuan, e ndryshon situatën politike. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët morën formën e një kërkese zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, tha Tusk.

Neni 4 i Traktatit të NATO-s thotë se "Palët do të këshillohen bashkërisht kurdoherë që, sipas mendimit të cilësdo prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e cilësdo prej palëve".

Donald Tusk
Donald Tusk
11:06 10.9.2025

Në cilat pjesë të vendit i rrëzoi Polonia dronët rusë?

Polonia i rrëzoi disa dronë rusë gjatë mëngjesit të mërkurën, të cilët ishin futur në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.

Në këtë hartë mund të mësoni se në cilat pjesë të Polonisë u rrëzuan dronët.

11:26 10.9.2025

Dronët rusë në Poloni, "test për mbrojtjen e NATO-s dhe mesazh për SHBA-në"

Aleksandr Morozov, analist i pavarur politik dhe bashkëpunëtor kërkimor në Universitetin Charles në Pragë, tha se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë nuk është e rastësishme, por veprim i qëllimshëm nga Kremlini.

“Sipas meje, këto janë veprime të qëllimshme të Kremlinit – nga njëra anë, për të testuar sistemet e mbrojtjes ajrore të krahut lindor të NATO-s, dhe nga ana tjetër, për të dërguar një mesazh të qartë, para së gjithash për Shtetet e Bashkuara. Mesazhi është se Donald Trump nuk mund t’i largohet luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, nuk do të jetë në gjendje të distancohet thjesht”, tha Morozov për Current Time.

Ai shtoi se reagimi i Kremlinit nuk synon vetëm SHBA-në, por edhe vendet evropiane.

“Kremlini po thotë: ju nuk mund të garantoni asgjë realisht. Përkundrazi, edhe ju vetë keni nevojë për garanci ndaj veprimeve tona. Sot nuk bëhet fjalë vetëm që vendet evropiane dhe NATO t’i japin garanci Ukrainës. Situata është ndryshe: Evropa, bashkë me Ukrainën, duhet të sigurojë garanci për veten. Ukraina nuk është më vetëm përfituese e garancive – ajo është pararojë e Evropës në vijën e frontit, dhe garancitë vlejnë për të gjithë”, tha Morozov.

Sipas tij, Polonia dhe Rumania janë objektivat kryesorë të Kremlinit në këtë fazë.

“Për Kremlinin, çështja kryesore lidhet me aeroportet dhe bazat polake pranë Ukrainës – pra, me qendrat logjistike të NATO-s. Prandaj besoj se objektivi i radhës për një test të tillë mund të jetë Rumania, më shumë sesa vendet baltike. Po, është e dhimbshme për Kremlinin që NATO po e rrit gradualisht praninë në Finlandë dhe vende baltike, edhe nëse në mënyrë modeste. Por, nga pikëpamja ushtarake, është e qartë se Polonia dhe Rumania janë sot fokusi kryesor i Kremlinit”, theksoi ai.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG