Çfarë ndodhi në Poloni?
- Gjatë natës, një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan mbi hapësirën ajrore të Polonisë, tha kryeministri i vendit, Donald Tusk.
- Duke folur para një mbledhjeje emergjente, Tusk tha se kjo ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.
- Polonia mbylli përkohësisht hapësirën ajrore dhe nisi një operacion ushtarak, ku u përfshinë edhe avionë të NATO-s dhe holandezë. Banorët në tri rajone polake përgjatë kufirit me Ukrainën u udhëzuan të qëndronin në shtëpi.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte “një tjetër hap i përshkallëzimit” nga Rusia.
- Forcat ajrore ukrainase thanë se sulmi rus përfshinte 415 dronë, një raketë balistike dhe 42 raketa lundruese, dhe se “tetë UAV [dronë] të armikut kaluan kufirin shtetëror të Ukrainës duke fluturuar drejt Polonisë”.
- Aeroportet polake janë rihapur që nga atëherë dhe operacioni ushtarak ka përfunduar.
- Rusia ende nuk ka komentuar.
Macron: Futja e dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, e papranueshme
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët gjatë sulmit rus në Ukrainën perëndimore është “thjesht e papranueshme”.
Ai theksoi se së shpejti do të flasë me shefin e NATO-s, Mark Rutte, për këtë çështje.
“Nuk do të bëjmë kompromis mbi sigurinë e aleatëve tanë”, shkroi Macron në një postim në platformën sociale X.
Presidenti polak do të thërrasë takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, do ta thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare brenda 48 orëve, pasi Polonia rrëzoi dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi të gjerë rus në Ukrainën perëndimore.
“Lajmi se brenda 48 orëve do të kemi informacion të plotë mbi atë që ndodhi në Poloni më çoi në vendimin për ta thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare brenda 48 orëve”, tha Karol Nawrocki.
Ai tha se kjo gjendje përbën një çast të paparë në historinë e NATO-s dhe të Polonisë.
NATO-ja do të diskutojë për dronët që u futën në Poloni
Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet të mërkurën në mëngjes për një sesion të rregullt dhe do të diskutojë mbi mënyrën se si NATO-ja reagoi ndaj dronëve që hynë në Poloni gjatë natës, tha zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.