Costa: BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë
Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë pasi hapësira e saj ajrore u shkel nga dronët e një sulmi rus mbi Ukrainën perëndimore, tha të mërkurën presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.
“Ngjarjet e mbrëmshme janë një kujtesë e fortë se siguria e njërit është siguria e të gjithëve”, shkroi Costa në një postim në X.
“Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës dhe shkeljet e pakujdesshme të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të BE-së përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e të gjithë evropianëve dhe për infrastrukturën kritike në gjithë kontinentin tonë”, shtoi ai.
Zelensky: Rusia e shënjestroi qëllimshëm Poloninë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha Rusia e vuri në shënjestër qëllimshëm edhe Poloninë derisa po e bombardonte Ukrainën gjatë natës.
“Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se ky veprim, ky drejtim i sulmit, nuk ishte rastësi”, shkroi Zelensky në X.
“Ukraina është gjithashtu gati t’i ndihmojë Polonisë në ndërtimin e një sistemi efektiv paralajmërimi dhe mbrojtjeje kundër kërcënimeve të tilla ruse”, shtoi ai.
Ai theksoi se të paktën tetë dronë rusë kishin shënjestruar Poloninë, pasi Rusia kishte lëshuar gjithsej rreth 415 dronë dhe mbi 40 raketa drejt Ukrainës perëndimore.
Polonia rrëzoi disa dronë rusë pasi kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore
Polonia njoftoi mëngjesin e së mërkurës i ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e quajtur këtë “akt agresioni”.
Ushtria e Polonisë tha se dronët shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës, pasi Rusia e kishte nisur një valë sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë edhe afër kufirit me Poloninë.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shkroi në X se ishte njoftuar nga Komanda Operacionale e Ushtrisë lidhur me “rrëzimin e dronëve që u futën në hapësirën tonë ajrore dhe që mund të përbënin kërcënim”.
Ai tha se e ka njoftuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për veprimet e ndërmarra nga pala polake.
Nuk raportohet për viktima në Poloni dhe mbetet e paqartë sa dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë.
Ushtria tha se është duke kërkuar për mbetjet e dronëve të rrëzuar.
“Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, shkroi Komanda Operacionale e Ushtrisë në një postim në X.
Ndërkohë, deri tani nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Polonia tha gjithashtu se i ka mbyllur katër aeroporte, përfshirë aeroportin kryesorin e vendit në Varshavë.
Përshëndetje të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,
Mirë se vini në mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të reagimeve lidhur me rrëzimin e dronëve rusë nga ushtria polake, të cilët kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit anëtar të NATO-s.
Qëndroni me ne!