Çfarë mund të sjellin zgjedhjet e reja?
Ndonëse shumë pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë, zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë me muaj, në anën tjetër ata nuk shohin ndryshim rezultati në rast se mbahen zgjedhjet e reja.
Agon Maliqi, njohës i zhvillimeve politike, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se nuk pret ndryshime të mëdha në rezultate.
Sipas tij, situata mund të ndryshojë vetëm në rast se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate dështojnë që ta kalojnë pragun në Kuvend.
Të dyja këto parti kanë arritur koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Si përfundim, Aleanca i ka siguruar pesë ulëse në Kuvend, ndërsa Nisma tre të tjera.
Pragu që duhet të kalojë një parti për të hyrë në Kuvend është 5 për qind e numrit të përgjithshëm të votave.
Lexues të nderuar,
Po e mbyllim këtu mbulimin e drejtpërdrejtë të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re.
- Seanca përfundoi pa zgjedhjen e ekzekutivit të ri, pasi mandatari, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme.
- Partitë e mëdha shqiptare paralajmëruan qysh në nisje të seancës se nuk kanë votë për të dhe që besojnë se zgjedhjet e reja janë shpëtimi i vetëm për vendin.
- Kurti tha që nuk beson në atë skenar, pasi në mungesë të institucioneve do të rrezikohet miratimi i buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm dhe miliona euro fonde të huaja, për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
- Përgjatë prezantimit të programit dhe kabinetit të ri qeveritar, Kurti e prezantoi një ekip prej 20 ministrash, për dallim prej 15 ministrive sa i ka vendi tani.
- Votë për Kurtin nuk patën as deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – të cilët thanë se ai ka punuar në qeverisjet e kaluara kundër komunitetit serb.
- Për hapat e mëtejmë duhet të ndërhyjë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Sipas Kushtetutës, ajo tani duhet të propozojë mandatarin e dytë, por marrë parasysh se Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, deklaroi sot se nuk e ka shumicën, duket se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Ato duhet të mbahen 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
- Pjesëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Kurtin, për siç kanë thënë, zvarritjen e procesit të formimit të Qeverisë me muaj, por edhe në anën tjetër kanë thënë se nuk shohin ndryshim rezultati në zgjedhjet e reja.
- Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, por vetëm 48 ulëse në Kuvend, të pamjaftueshme për të qeverisur vetë me vendin.
Më poshtë e gjeni një video përmbledhëse të zhvillimeve kryesore në Kuvend.
Faleminderit që ishit me ne!