Krasniqi: Grupi multietnik, pro Qeverisë ‘Kurti 3’
Elbert Krasniqi, nga Grupi Multietnik, tha se tetë deputetë nga pakicat do të votojnë pro Qeverisë së re.
“Grupi Multietnik, i përbërë prej tetë deputetëve, e mbështet Qeverinë ‘Kurti 3’”, tha ai.
S’ka vota për “Kurti 3”
Propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës.
Kështu, me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani dhe i mbylli punimet e seancës.
Limaj: Hap i pamjaftueshëm, Basha s’duhet të ketë asnjë post publik
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se propozimi i mandatarit Albin Kurti nuk mori përkrahjen e tre deputetëve të partisë së tij për shkak të Dimal Bashës.
Ai tha se deputetët e partisë së tij kanë abstenuar.
Basha, që aktualisht e ka postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, u propozua për postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, duke lënë kështu të hapur postin e kryetarit të Kuvendit që në fillim e kishte synuar Limaj.
“Është hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”, tha Limaj, pas seancës.
Për Limajn, emri i Bashës në institucione është i papranueshëm, për shkak të përfshirjes së tij në një punim që flet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Memli Krasniqi: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë pas seancës se sot është vërtetuar që “Albin Kurti po e mban vendin peng”.
“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolim, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”.
Ai ka thënë se secila qeverisje e re pa Kurtin do të jetë e mirë për Kosovën.
Krasniqi ka thënë se nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën për Qeverinë e re, ai do t’i thotë thjesht “jo”, sepse nuk duhet pasur më shumë vonesa dhe që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.