Ndërlidhjet

Albin Kurti.
Albin Kurti.

Kurti nuk i siguron votat për Qeveri të re

• Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

• Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

• Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.

• Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

11:01 26.10.2025

Diskutime deri në minutën e fundit

Derisa jemi në pritje të nisjes së seancës, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë në lëvizje të vazhdueshme.

Ata shihen grupe-grupe duke diskutuar edhe me deputetë të partive tjera të mëdha shqiptare, dhe dalin e hyjnë në sallën e Kuvendit.

Kryetari i tyre, Albin Kurti, vazhdon të mos jetë në sallë.

11:11 26.10.2025

Kurti në sallë

Pas më shumë se një ore vonesë, mandatari për të formuar Qeverinë, Albin Kurti ka hyrë në sallën e Kuvendit.

Ai është parë në duar me një dosje, që mund të jetë e prezantimit të përbërjes së re qeveritare.

Ende është e paqartë nëse i ka votat e nevojshme - 61 sosh - për një mandat të ri në krye të Qeverisë.

11:12 26.10.2025

Mbërrin në sallë edhe Dimal Basha

Pas mandatarit Albin Kurti, në ulësen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës tashmë është ulur Dimal Basha.

Me mbi një orë vonesë, tani është dëgjuar edhe zilja që thërret të gjithë deputetët të ulen në karriget e tyre në sallën e Kuvendit.

Së shpejti pritet nisja e seancës.


11:18 26.10.2025

Nis seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka filluar punimet në seancën e Kuvendit me pikën e vetme për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Basha tha se në sallë janë 113 deputetë.

Ai ftoi mandatarin Albin Kurti për të paraqitur propozimet e tij për kabinet dhe program qeverisës.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG