Përshëndetje të nderuar lexues,
Përmes këtij blogu po e nisim raportimin në kohë reale për zhvillimet e ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës. Kjo mund të jetë përpjekja e fundit për konstitutim të Kuvendit, para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ua ndalon deputetëve çdo veprim në këtë drejtim në periudhën 27 korrik – 8 gusht.
Faleminderit që jeni me ne!
Haxhiu: Mund të ketë edhe seanca tjera
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu - e propozuar për kryeparlamentare - ka thënë të premten se është e natyrshme që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, marrë parasysh situatën aktuale, ndonëse as Partia Demokratike e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë kërkuar masë të përkohshme kur i kanë dërguar lëndët e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Këtë masë e ka kërkuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë javës.
“Na kanë mbetur edhe pak orë. Na ka mbetur sot, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe më vonë, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe nesër. Në rrethana të tilla duhet reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”.
Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asgjë konkrete nga propozimi që i ka bërë Nismës Socialdemokrate për ta pasur partnere në koalicion qeveritar.
Haradinaj: Jemi të gatshëm për zgjedhje, por si opsion i fundit
Kreu i Aleancës së Ardhmërisë për Kosovën (AAK), Ramush Haradinaj, tha se ai e sheh si shenjë të mirë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme që të mos ndërmerret asnjë vendim për konstituimin të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.
“Është e mundshme që gjykata e ka paraparë që kaq kohë i duhet për një vendim. Pra i bjen që jemi në një periudhë më dinamike”, tha Haradinaj, para seancës së 52-të konstituive.
Tutje tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, por se ato i sheh si opsion të fundit.
“Ne nuk mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për t’i krijuar institucionet”, tha Haradinaj.
Zemaj: Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në nisje të seancës se masa e përkohshme i paraprin kërkesës së LDK-së në Gjykatën Kushtetuese.
“Për mua vendimi i ka dy kuptime. E para, që nuk dëshiron të ketë vakum të keqpërdorimit të seancës kuvendore ose ndonjë vendimi arbitrar nga kryesuesi i seancës, dhe e dyta që ndoshta të japë hapësirë akoma për Lëvizjen Vetëvendosje që të gjejë bashkëpunim, mirëkuptimin dhe të krijojë mirëbesim që mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe të kalojmë në pjesën e Qeverisë”.
Megjithatë, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë dhe për pasojë e ka bllokuar Kuvendin.