Mbërrijnë ambasadorët e vendeve perëndimore
Pak para nisjes së seancës, në hyrje të Kuvendit janë parë ambasadorë të vendeve perëndimore, përfshirë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Si pjesëtarë të vendeve të QUINT-it, ata kanë bërë thirrje disa herë që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet.
QUINT-i përbëhet nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca dhe Gjermania.
Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?
Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat "mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës".
Më 24 korrik, Kushtetuesja tha se ekzistojnë rrethana të intersit publik, që e përfshijnë rendin kushtetues të Kosovës, që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.
Vendimi për vendosjen ex officio të masës së përkohshme, Kushtetuesja tha se e mori pas pranimit të dy lëndëve në fillim të korrikut nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto dy lëndë janë bashkuar, tha Kushtetuesja, duke shtuar se Gjykata po ashtu ka pranuar komente nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këto lëndë.
Rexhepi s’pret dakordim nga LVV-ja dhe Nisma për konstituim të Kuvendit
Kyetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi - si njëra nga përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës - tha se nuk pret që të ketë marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për konstituim të Kuvendit sot.
“Sa unë e di, ata flasin vetëm për koalicion për qeveri”, tha Rexhepi.
Rexhepi, si zëvendëskryeministre në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, ka përkrahur iniciativat e derimëtanishme të LVV-së në Kuvendin e Kosovës.
Thirrje ndaj Deharit "të mos keqpëdorë pozitën"
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Vlora Çitaku, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, si dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i kanë kërkuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari që të mos e keqpërdorë pozitën dhe t'i kthehet rendit të ditës, që nënkupton votim të hapur për propozimin e Haxhiut për kryeparlamentare.
Dehari, në anën tjetër, ka vazhduar të kërkojë prej tyre që të propozojnë nga një kandidat për komision për votim të fshehtë.