Në ndërtesën katërkatëshe të Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë, ditët nisin ngjashëm. Gratë e strehuara atje bëhen bashkë për të gatuar mëngjesin për vete dhe fëmijët e tyre.
Por, këto gra, që i bashkon e kaluara - të gjitha i kanë mbijetuar dhunës nga bashkëshortët e tyre - nuk ndjekin më vonë përditshmërinë e njëjtë.
Kurse rrobaqepësie, kompjuterike, kuzhinierie... Seanca me avokaten për ndihmë juridike, takime me stafin psikosocial, vizita nga familjarë, përgatitja e fëmijëve për shkollë… Secila personalizon ditën e saj ashtu siç dëshiron.
“Prej ditës kur ajo mbledh forcën t’i thotë ‘jo’ dhunës, ne mundohemi që ta ruajmë atë forcë të saj, ta përkrahim”, thotë Ardita Bala, drejtoreshë e qendrës në Pejë, ku strehohen të mbijetuarat e dhunës në familje.
Ardita Bala.
Ajo tregon se nga këto kurse - që përfundojnë me certifikata nga Qendrat për Aftësim Profesional - ka pasur gra që kanë nisur të punojnë qysh gjatë kohës sa ishin të strehuara aty. Kështu, kur kanë dalë nga strehimorja, ato kanë pasur një buxhet të tyre për ta rinisur jetën.
Në këtë qendër, ku ka hapësirë për 16-18 persona, çdo grua që ka raportuar dhunën në familje në Policinë e Kosovës, mund të strehohet fillimisht me një kontratë gjashtëmujore, të ndërmjetësuar nga Qendra për Punë Sociale.
Megjithatë, Bala tregon se qëndrimi në këtë strehimore nuk është i caktuar me afat të prerë, pasi që kontrata fillestare zgjatet derisa secila grua e vlerëson veten të gatshme për t’u larguar.
“Ideja është të mos e lëmë askënd jashtë, të mos i themi jo një gruaje në nevojë”, shton ajo.
Dy nga shumë punimet, të ekspozuara në muret e Qendrës për Mirëqenien e Gruas, të punuara nga gratë që i kanë mbijetuar dhunës në familje.
Bala thekson se gratë në këtë qendër tregojnë shumë solidaritet me njëra-tjetrën, i ndihmojnë njëra-tjetrës që të ambientohen qysh nga dita e parë dhe ndërtojnë raporte shoqërie përplot përkrahje.
Sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 4.7 për qind e grave në Kosovë raportojnë të kenë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partnerët e tyre intimë.
Shpeshherë, gratë që vendosen nëpër strehimore shoqërohen nga fëmijët e tyre. Stafi i qendrës sigurohet që edhe për ata të ketë aktivitete dhe punimet e tyre ekspozohen në muret e qendrës.
Një punim i fëmijëve të strehuar me nënat e tyre në Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë.
Në ditën kur Radio Evropa e Lirë vizitoi këtë qendër, më 28 nëntor, katër vajza nga fëmijët në këtë qendër kishin përgatitur një program festiv.
Një nga një, ato recituan nga një vjershë, vallëzuan e kënduan.
Kjo strehimore që funksionon që nga viti 2001, ka strehuar deri më tani 1.758 gra. Ka pasur gra me fëmijë e pa fëmijë, si dhe gra shtatzëna.
Bala tregon se, sipas shumë hulumtimeve, nga pesë gra që përjetojnë dhunë në familje, vetëm njëra e raporton. Shumë herë, thotë ajo, kjo bëhet me idenë se në këtë mënyrë ruhet familja dhe mbrohen fëmijët.
“Por, pikërisht për shkak të fëmijëve, ato duhet ta raportojnë dhunën. Të dhënat tregojnë se, përndryshe, djemtë rriten që të bëhen si babai dhe vajzat rriten që të bëhen viktima të ardhshme”, shpjegon ajo.
Ardita Bala
Vetë Bala ka rastisur në këtë cikël. Ajo tregon se ka pasur raste kur ka strehuar një grua me vajzën e saj në strehimore dhe se, pas shumë vitesh, ka ardhur edhe vajza e saj si e mbijetuar e dhunës nga partneri.
“Kjo ndodh sepse dhuna është sjellje e mësuar. Dëmi më i madh është ai që u bëhet fëmijëve, sepse janë shumë të vegjël për të kuptuar”, përfundon Bala.
Në vitin 2023, organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Amnesty International, ngriti alarmin për mënyrën se si trajtohen të mbijetuarit e dhunës në familje në Kosovë.
Ndër problemet më të theksuara ishte mënyra e financimit të strehimoreve, të cilat në Kosovë operohen nga organizatat joqeveritare.
Këto OJQ financohen nga Ministria e Drejtësisë në periudha kohore 12-mujore dhe, së fundi, drejtues të strehimoreve të ndryshme nëpër Kosovë janë shprehur të kënaqur me shumën që u është ndarë.
Një nga dhomat e gjumit në Qendrën për Mirëqenien e Gruas. Këtu zakonisht vendosen nënat me fëmijët e tyre. Dhomat e gjumit i kanë të ndara, ndërsa kuzhinën të përbashkët.
Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, çdo vit, edhe në Kosovë shënohen 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se shumica e viktimave të dhunës në familje janë gratë. Numri më i madh i regjistruar ndonjëherë u shënua vitin e kaluar, kur pati gati 3.000 raste të dhunës në familje.
Këtë vit, nga janari e deri në tetor janë regjistruar gjithsej 2.429 raste.
Fushata e Qendrës për Mirëqenien e Gruas kundër dhunës në familje.
Bala thotë se numri më i ulët i raportimeve deri më tani këtë vit nuk tregon se numri i rasteve është ulur në të vërtetë. Ajo shpjegon se kjo reflekton vetëm frikën e grave për ta raportuar dhunën.
“Gratë nuk i dinë të gjitha të drejtat e tyre, nuk dinë për përkrahjen institucionale që u takon dhe hezitojnë ta raportojnë dhunën”, thotë ajo.
Një nga dhomat në Qendrën për Mirëqenien e Gruas, ku të mbijetuarat e dhunës në familje mësojnë për të drejtat e tyre.
Kjo shpesh ndërlidhet edhe me varësinë financiare të grave ndaj partnerëve të tyre. Mbi 80 për qind e grave në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Të dhënat tregojnë se burrat janë të punësuar në përqindje dukshëm më të lartë se gratë.
Gjithashtu, burrat trashëgojnë prona dhe pasuri nga familjet e tyre, që ua lehtësojnë investimin për të shtuar pasurinë më vonë. Sipas statistikave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohet nga gratë.
Me këto probleme, Bala ishte përballur qysh në vitin 1999, kur kishte nisur punën për parandalim dhe luftim të dhunës në familje.
Ajo kujton se si puna e saj ishte pritur plot herë me ankesa se banorëve të Pejës së pasluftës “u duhen kulme në shtëpi, jo ligjërata”.
SHIKONI EDHE: “E lindur për së dyti” - Gratë luftojnë dhunën në familje me pavarësim financiarPor, tregon se më vonë ishin vetë banorët e Pejës ata që kishin kërkuar hapjen e një strehimoreje, në mënyrë që të ndërpritej cikli i dhunës që vetë gratë po përjetonin nga partnerët e tyre.
“Dhuna duhet të ndalet sepse, përndryshe, ajo vazhdon si cikël edhe në gjeneratat e reja”, thotë Bala.
Për gratë që hezitojnë të raportojnë dhunën që përjetojnë, Bala ka një mesazh të qartë: strehimoret nuk janë vendi ku dështon jeta, janë vendi ku ajo rifillon. Aty, sipas saj, çdo ditë dikush mëson një aftësi të re e dikush tjetër kupton se nuk është e vetme.