Pak orë pas mesnatës së 22 qershorit, një vargmal i vogël rreth 200 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit iranian u trondit nga një seri shpërthimesh të fuqishme.
Bëhej fjalë për vargmalin e Fordos, aty ku Irani prej vitesh ka ndërtuar një kompleks të gjerë nën tokë për pasurimin e uraniumit — që zyrtarisht përdoret për centrale me qëllime civile – ose, siç këmbëngul Izraeli, për ndërtimin e një arme bërthamore.
Shpërthimet u shkaktuan nga dhjetëra bomba të fuqishme konvencionale të arsenalit amerikan — GBU-57, secila me peshë 13.000 kilogramë — të hedhura nga një prej avionëve më të sofistikuar të Forcave Ajrore Amerikane, bombarduesi B-2.
Your browser doesn’t support HTML5
Operacioni "Çekani i mesnatës”: Çfarë dimë për sulmet e SHBA-së në Iran?
Ndërsa pluhuri po ulet mbi Fordo dhe dy objekte të tjera të goditura nga SHBA-ja, ditët në vijim do të tregojnë çfarë nënkupton saktësisht kjo ngjarje: A do të shpërthejë një luftë e plotë? A do të hakmerret Irani duke goditur bazat amerikane në rajon? A do të përpiqet Teherani të bllokojë furnizimet globale të naftës përmes ngushticës së Hormuzit? A do të vazhdojë Izraeli me bombardimet e paprecedenta ndaj objektivave iraniane? Dhe, a po hyn SHBA-ja në një tjetër luftë të madhe në Lindjen e Mesme?
Për momentin, ja çfarë duhet të dini:
Çfarë ndodhi?
Rreth orës 2:30 të mëngjesit me orën lokale (00:30 sipas kohës lokale në Kosovë), një ekip prej shtatë bombarduesish B-2 mbërriti në lartësi mbi kompleksin e Fordos, pasi kishin udhëtuar mijëra kilometra nga bazat e tyre në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët amerikanë thanë se avionët hodhën 14 bomba GBU-57, të njohura edhe si shkatërruese të bunkerëve, për shkak të aftësisë së tyre për të depërtuar thellë në tokë dhe për të shpërthyer eksplozivin pak më vonë, që teorikisht mund të shkatërrojë objekte të fortifikuara sikurse Fordo.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja shpalos detaje lidhur me sulmin ndaj centraleve bërthamore të IranitNë të njëjtën kohë, dhjetëra raketa Tomahawk u lëshuan nga një nëndetëse amerikane në Gjirin Persik drejt një tjetër objekti bërthamor iranian: Isfahanit. Dy bomba GBU-57 u hodhën gjithashtu mbi objektin e tretë të goditur nga sulmet amerikane, Natanzin.
Në total, në operacion morën pjesë 125 avionë amerikanë, përfshirë avionë luftarakë shoqërues dhe avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër, thanë zyrtarët amerikanë.
Çfarë është dëmtuar?
Autoritetet iraniane kanë konfirmuar se objektet janë goditur. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se objektet në Fordo, Natanz dhe Isfahan janë “shkatërruar plotësisht”.
Megjithatë, mbetet shumë e paqartë se çfarë është dëmtuar saktësisht dhe në çfarë mase.
Natanz dhe Isfahani kishin qenë tashmë në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite gjatë dhjetë ditëve të fundit.
Sipas Iniciativës për Kërcënimet Bërthamore, një institut studimor në Uashington, në Isfahan ishin prodhuar shufra karburanti për centrale bërthamore, megjithëse kjo përpjekje ishte ngadalësuar për shkak të sanksioneve perëndimore.
Ndërkohë, Natanzi, sipas të njëjtit institut, strehonte të paktën 50.000 centrifuga të vendosura në struktura nëntokësore. Megjithatë, këto nuk janë aq thellë nën tokë sa Fordo.
Për Fordon kishte interes të veçantë nga inteligjenca izraelite dhe agjencitë amerikane, për shkak të vendndodhjes së tij thellë në shpatin e malit. Objekti, i monitoruar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), strehonte mijëra centrifuga të ndërtuara me saktësi, të përdorura për pasurimin e uraniumit.
Pamjet satelitore tregojnë centralin Fordo para dhe pas sulmeve
Uraniumi i pasuruar mund të përdoret si karburant për centrale elektrike deri në një nivel të caktuar. Mbi atë nivel, ai cilësohet si “i përshtatshëm për armë”.
Sipas një raporti të IAEA-së muajin e kaluar, më shumë se 400 kilogramë gaz uraniumi hekzafluorid – një hap kyç në procesin e pasurimit – ishin pasuruar deri në 60 për qind. Ky nivel konsiderohet shumë i lartë, por jo sa në nivelin që kërkohet për armë bërthamore. Ndërkohë, një raport konfidencial i vitit 2023, të cilin e ka parë CNN, thoshte se IAEA kishte zbuluar uranium në nivel thuajse të përshtatshëm për armë në Fordo.
Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se aktivitetet e tij bërthamore janë ekskluzivisht për qëllime civile.
Your browser doesn’t support HTML5
Pse centrali bërthamor iranian Fordo është aq i vështirë të shkatërrohet?
Po lufta?
Izraeli e përshëndeti sulmin, duke e cilësuar si një “hap vendimtar për të ndalur agresionin e regjimit iranian dhe aftësinë e tij për të paraqitur kërcënim për rajonin dhe botën”.
Zyrtarët iranianë reaguan duke e dënuar ashpër sulmin dhe duke paralajmëruar për “pasoja të rrezikshme dhe ndikim të thellë nga akti agresiv i [SHBA-së]”. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, njoftoi se do të udhëtojë drejt Rusisë – një aleat i afërt, ndonëse i matur i Iranit – për bisedime me presidentin Vladimir Putin.
SHIKONI EDHE:
Teherani refuzon negociatat - bota bën thirrje për ulje të tensioneveIrani dënon sulmin amerikan ndaj objekteve bërthamore, paralajmëron pasojaNë një konferencë për media disa orë pas bombardimeve, Araqchi la të kuptohet se ekziston ende një mundësi kompromisi, duke deklaruar se “dera për diplomaci duhet të mbetet gjithmonë e hapur”. Megjithatë, ai shtoi se “nuk është ky rasti tani”.
Para sulmeve, Uashingtoni kishte ushtruar presion të madh ndaj Teheranit në negociatat për të ardhmen e programit bërthamor iranian. Ndërsa qëndrimi publik dhe prapa skenave i administratës Trump u ashpërsua ditët para sulmeve, diplomatët evropianë u angazhuan më shumë për të parandaluar një ndërhyrje ushtarake.
Nëse Irani është i gatshëm të hyjë në luftë të plotë apo të hakmerret drejtpërdrejt ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, mbetet një pikëpyetje.
Your browser doesn’t support HTML5
Trump për sulmin e SHBA-së në Iran: Sukses ushtarak spektakolar
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike – dega kryesore ushtarake e Iranit – deklaroi se vendi rezervon të drejtën për të reaguar në vetëmbrojtje dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “do të përballen me pasoja të dhimbshme”, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore IRNA.
Në janar 2020, pasi një dron amerikan vrau një gjeneral të lartë iranian, Irani reagoi me një breshëri raketash balistike ndaj bazave amerikane në Irak, përfshirë bazën ajrore Al Asad. Nuk pati të vrarë, por rreth 100 ushtarakë amerikanë raportuan se kishin pësuar dëme traumatike në tru nga shpërthimet.
SHBA-ja ka baza në Katar, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe; ndërkohë që Bahrejni është selia e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse Irani ka ende kapacitetin për t’u hakmarrë në mënyrë efektive.
Gjatë dhjetë ditëve të fundit të bombardimeve izraelite, shumë prej objekteve raketore, bazave ajrore, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe fabrikave të armatimit iranian janë dëmtuar ose shkatërruar, duke i kufizuar ndjeshëm opsionet e Teheranit.
Por, Irani ka edhe mjete të tjera në dispozicion.
Për shembull, kapacitetet e tij kibernetike janë të njohura, dhe hakerët e lidhur me Gardën Revolucionare janë akuzuar në të kaluarën për sulme ndaj sistemeve izraelite.
Më 22 qershor, Parlamenti iranian bëri thirrje për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit — një pikë kyç detare që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian, përmes së cilës kalojnë cisternat që transportojnë një pjesë të madhe të naftës për tregjet botërore.
Mbyllja e saj do të shkaktonte një tronditje, sa i përket çmimeve globale të naftës.
Po politika?
Sulmi përbën një moment kthese për presidentin Trump, ngritja politike e të cilit u nxit pjesërisht nga lodhja e tij – dhe e shumë amerikanëve – ndaj pasojave të ndërhyrjeve ushtarake të SHBA-së në Afganistan, Irak dhe Siri, të cilat shpesh përmenden si “luftërat e pafundme” të Amerikës.
Shumë prej këshilltarëve kryesorë të Trumpit, përfshirë nënpresidentin, JD Vance, janë shprehur kundër përfshirjes së mëtejshme të SHBA-së në konflikte jashtë vendit. Në ditët para 22 qershorit, pati përplasje të hapura në qarqet politike amerikane lidhur me mundësinë që SHBA të përfshihej në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme.
Pas sulmit, të koduar me emrin ‘Çekani i mesnatës’, Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës u përpoqën ta justifikonin me kujdes ndërhyrjen, duke theksuar se qëllimi nuk ishte ndërrimi i regjimit – pra rrëzimi i Qeverisë iraniane – dhe se Uashingtoni nuk planifikon të përfshihet thellësisht në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Iranit, i cili pritet të vazhdojë.
“Kjo nuk është një ndërhyrje pa afat”, tha sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për gazetarët më 22 qershor.
SHIKONI EDHE: Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në IranNë Kongres, demokratët dënuan sulmin; shumica e republikanëve e mbështetën atë. Megjithatë, disa republikanë, përfshirë anëtaren kontroverse të Dhomës së Përfaqësuesve, Marjorie Taylor Greene, shkroi në rrjetet sociale: “Kjo nuk është lufta jonë”.
“Nuk jemi në luftë me Iranin”, i tha Vance televizionit NBC pas sulmit. “Jemi në luftë me programin bërthamor të Iranit”.
Konfliktet në Lindjen e Mesme
Në këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, infografika, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, luftës në Gazë dhe tensioneve të tjera rajonale.