Procesi i votimit në Prishtinë
Në kryeqytetin Prishtinë, deri në orën 11:00, votuan 8.8 për qind e qytetarëve, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Deri në orën 11:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 7.84 për qind e qytetarëve.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi po zhvillohet normalisht, pa ndonjë parregullsi që do ta rrezikonte mbarëvajtjen e tij.
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë, pasi vetë kanë ushtruar të drejtën e tyre.
- Ndërkohë, autoritetet në Serbi, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje.
- Konferenca e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mbahet në orën 15:30, kur do të raportohen të dhëna për pjesëmarrjen deri në orën 15:00.
Basha fton qytetarët të votojnë masivisht
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht për të votuar, duke theksuar se kjo është mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën e përditshme.
“Le të jetë kjo ditë festë e demokracisë, me votime të qeta, pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të plotë qytetarie”, shkroi Basha në Facebook.