Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të martën se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.
Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti e tha këtë gjatë një mbledhjeje të Qeverisë në detyrë, ku kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit për fillimin e vitit të ri akademik.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.
Vuçiq tha për televizionin Pink në Serbi në fundjavë se “ne do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë”.
“Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën, dhe ne do ta bëjmë këtë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ne do të kujdesemi gjithmonë për të”, tha Vuçiq.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Të hënën, ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zlatibor Lonçar, theksoi se hapja e 400 vendeve të reja të punës “është lajm që tregon përkushtimin e shtuar të shtetit të Serbisë për mbështetjen e popullit tonë dhe sistemit shëndetësor në Kosovë”.
Të martën, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i përsëri u bëri thirrje serbëve të Kosovës, si dhe personave të zhvendosur që kanë dokumente të Kosovës, të votojnë për Listën Serbe.
Ai theksoi se fitorja e Listës Serbe nënkupton edhe “vazhdimin e projekteve infrastrukturore dhe ndihmës financiare” nga shteti i Serbisë, duke konfirmuar se Lista Serbe ka mbështetjen e plotë të presidentit Vuçiq dhe të shtetit të Serbisë.
Kurti theksoi se ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve të tjera janë ndërhyrje në formë të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti”.
Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, dhe misioni vëzhgues i BE-së tha asokohe se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.
Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian se nuk kishte bërë asgjë për ta ndëshkuar Serbinë për këtë.
Ndërkohë, në zgjedhjet lokale të fundjavës së ardhshme, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë, Lista Serbe, pritet ta rimarrë pushtetin në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Në këto zgjedhje garojën edhe katër parti të tjera serbe, si dhe disa iniciativa qytetare, të cilat kanë kandidatë kryesisht në një komunë.
Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku - udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi në nëntor të vitit 2022, të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për t’i hequr targat serbe të makinave.
Serbët, duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe, nuk morën pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna më 2023, si dhe bojkotuan edhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në prill të vitit 2024.
Por, Lista Serbe do të garojë sërish të dielën për ta kthyer pushtetin në veri në një kohë tensionesh për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të vendosur kontrollin atje.
Banorët serbë të komunave veriore të Kosovës janë të ndarë mes shpresës dhe skepticizmit për zgjedhjet e 12 tetorit, pasi disa e presin rikthimin e serbëve në krye të komunave si “liri”, ndërsa të tjerët nuk presin ndryshime të mëdha.
Serbia, e cila vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës duke e cilësuar atë pjesë të veten, ndan të ardhura nga buxheti shtetëror për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Kjo përfshin paga, pensione, shtesa për fëmijë dhe ndihma të tjera financiare.