Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

09:28 12.10.2025

Kurti fton qytetarët të dalin për të votuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi rreth orës 9:00 në një qendër votimi në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ai iu drejtua gazetarëve duke ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të përfshihen aktivisht në vendimet për komunat e tyre.

“Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm në komunat tona. Përveçse qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, tha ai.

Kurti dha mesazhin e tij edhe në gjuhën serbe dhe atë angleze.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti - Fotografi arkivi
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti - Fotografi arkivi
09:47 12.10.2025

Prokuroria garanton mbrojtjen e votës në zgjedhjet lokale

Për zgjedhjet lokale që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, mbikëqyr zbatimin e detyrave të prokurorëve dhe fton qytetarët, subjektet politike dhe institucionet të raportojnë çdo rast dyshimi për manipulim të votës, thuhet, mes tjerash, në njoftim.

Pamje nga një qendër votimi.
Pamje nga një qendër votimi.
10:22 12.10.2025

Osmani: Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e fortë demokracia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas orës 10:00 në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ajo e cilësoi këtë ditë si të rëndësishme për demokracinë e vendit.

“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani, duke i ftuar ata që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Osmani, po ashtu, theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, duke përsëritur se Serbia ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
10:30 12.10.2025

Vuçeviq u bën thirrje serbëve në Kosovë të dalin në zgjedhje

Ish-kryeministri i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, deklaroi se pret pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke vlerësuar se ky veprim “nuk është thjesht votim për ndonjë opsion politik, por çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

Duke folur për televizionin serb Prva, Vuçeviq tha se, për shkak të rrethanave specifike, disa parti politike janë bashkuar nën Listën Serbe, dhe për këtë arsye Partia Përparimtare Serbe dhe të tjerat nuk veprojnë ndaras në Kosovë.

Ai shtoi se periudha gjatë së cilës serbët qëndruan jashtë institucioneve në Kosovë, ka qenë e vështirë dhe se populli nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare.

Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq.
Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG