Përshëndetje të nderuar lexues,
Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejt të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë do t’iu sjellë në kohë reale zhvillimet lidhur me konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Na ndiqni!
Vazhdimi i seancës konstituive, në mesditë
Në mesditë, deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës vazhdojnë seancën e ndërprerë më 15 prill për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Seanca konstituive u ndërpre më 15 prill, pasi deputetët nuk e votuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumeve.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, iu drejtua presidentes, Vjosa Osmani, duke kërkuar sugjerime se si të veprohet.
Osmani tha se Kuvendi duhet të mblidhet brenda 48 orëve nga ndërprerje, siç thuhet në Rregulloren e Kuvendit.
E para e shtetit tha se deputetët obligohen “që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit”.
Pse u ndërpre seanca e 15 prillit?
Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, kontestuan dorëheqjen e anëtarëve të kabinetit qeverisës, që janë zgjedhur deputetë, të dorëzuar në Kuvend më 15 prill.
Ata thanë se dorëheqja zyrtare është dashur të bëhet më herët.
Kështu, ata votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
LVV-ja dhe Albin Kurti i akuzuan këto parti dhe Listën Serbe – që abstenoi – për shkaktim të një krize. Kurti tha se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi, kur ekzekutivi përmbylli mandatin e plotë katërvjeçar.
Megjithatë, njohësit e ligjeve thonë se ka paqartësi se kur duhet të jepet dorëheqje nga anëtarët e Qeverisë. Ligji për Qeverinë, ndërkaq, kërkon që anëtarët e ekzekutivit, që zgjidhen deputetë, duhet të japin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultatit zgjedhor, pra në këtë rast, para 27 marsit.
OVL-UÇK me aksion para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive
Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë po zhvillojnë një aksion në hyrje të Kuvendit të Kosovës.
Nga kjo organizatë po shpërndajnë një fletë në të cilën është shkruar një betim që kërkohet që deputetët e legjislaturës së nëntë ta bëjnë, për t’u angazhuar në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.
Në këtë letër kërkohet që deputetët të adresojnë të gjitha “padrejtësitë në procesin gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë”.
Aty po ashtu kërkohet krijimi i një mekanizmi mbikëqyrës ndaj Gjykatës Speciale, përfshirë një komision parlamentar që do të hetonte shkeljet procedurale dhe të drejtave të njeriut.
OVL-UÇK kërkon po ashtu nisjen e një debati institucional që selia e Gjykatës Speciale të kthehet në Kosovë dhe të funksionojë nën mbikëqyrjen e institucioneve të Kosovës.