Ndërlidhjet

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 17 prill 2025.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 17 prill 2025.

Sërish dështon konstituimi i Kuvendit, seanca vazhdon të shtunën

Për të dytën herë, deputetët kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Por, pas konsultimit, ai tha se nuk ka konsensus se si të vazhdohet tutje, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë më 19 prill në orën 12:00.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton "të blejë kohë për pazare politike", pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputet, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.


13:49 17.4.2025

Kusari – Lila: Nëse vazhdon bllokada, duhet dialog mes partive politike

Deputetja e zgjedhur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, drejtoi kritika për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilat tha se janë përgjegjëse për bllokimin e formimit të institucioneve të reja.

Kusari – Lila, tha se në rast se vazhdon dështimi i konstituimit të Kuvendit duhet parë opsione tjera, përfshirë ftesën për partitë politike për të diskutuar veprimet e ardhshme.

Ajo e quajti të pakuptimtë se si partitë që ishin në opozitë mandatin e kaluar ‘po hezitojnë’ të marrin mandatet që fituan në zgjedhjet e 9 shkurtit.

13:44 17.4.2025

Haxhiu: Duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit

Albulena Haxhiu nga LVV tha se partia e saj dëshiron që të gjejë zgjidhje për situatën e krijuar në Kuvend.

Ajo tha se edhe presidentja Osmani i ka kërkuar deputetëve që të gjejnë zgjidhje, dhe për këtë, sipas saj, “duhen konsultime”.

“Ne duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit, por duhet të shohim se si është mënyra për ta korrigjuar atë vendim”, tha ajo duke iu referuar mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

“Kemi vullnet që të propozojmë mënyra se si duhet shkuar tutje. A do të jetë një komision i ri apo komisioni paraprak të bëjë përgatitjen e raportit të ri... Mund të ketë dhe propozime të tjera”, tha Haxhiu pas ndërprerjes së seancës konstituive.

Albulena Haxhiu dhe Mimoza Kusari Lila
Albulena Haxhiu dhe Mimoza Kusari Lila
13:38 17.4.2025

Kadrijaj: LVV qëllimisht po saboton formimin e institucioneve

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se si subjekt politik kanë pritur që seanca të vazhdojë me votimin e raportit të 15 prillit të Komisionit për verifikim të mandateve të deputetëve e jo të ndërpritet sërish seanca.

Kadrijaj tha se kryesuesi i seancës konstituive nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, veproi jashtëligjshëm kur ndërpreu seancën.

Kjo sipas tij ndodhi për shkak se Vetëvendosje nuk i ka votat as për kryetarin e Kuvendit e as për Qeverinë.

Kadrijaj, tha se Vetëvendosje qëllimisht po e ‘saboton’ formimin e institucioneve.

Time Kadrijaj
Time Kadrijaj
13:37 17.4.2025

Krasniqi: LVV-s’ka shumicë parlamentare, po dëshiron të blejë kohë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja nuk ka shumicë dhe nuk është “as afër” arritjes së shumicës, prandaj sipas tij, po pengon mbarëvajtjen e seancën konstituive, për të blerë “kohë për pazare politike”.

“Skenari ka qenë i qartë, e vetmja punë që ka pasur ai [kryesuesi i seancës Avni Dehari] është që të hidhte në votim raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuroumit”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, përmes kryesuesit Dehari, LVV-ja po mban peng formimin e institucioneve të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG