Abdixhiku: Ndërprerja e seancës vendim i paligjshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti të padrejtë ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku e quajti shkelje të rëndë dhe “praktikë të mbrapshtë”, vendimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari për ndëprerje të seancës konstituive.
Abdixhiku mes tjerash tha se Dehari, që sipas tij, ka rastisur të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje veproi padrejtësisht pasi sipas tij, kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.
Dehari ndërpret seancën
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se e njëjta do të vazhdojë më 19 prill, në orën 12:00.
Ai tha se gjatë konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, nuk kishte konsensus se si të shkohet përpara.
Jakaj: Bllokada institucionale shpërfillje e vullnetit të qytetarëve
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se dështimi për të konstituar Kuvendin, edhe pas vazhdimit të seancës konstituive më 17 prill, përbën një shkelje të qartë të vullnetit qytetar të shprehur përmes votës më 9 shkurt.
“Mosfunksionalizimi i Kuvendit pamundëson formimin e Qeverisë së re, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin institucional dhe në rrjedhën demokratike të shtetit”, theksoi Jakaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se qytetarët kanë votuar për ndryshim, përfaqësim të denjë dhe për institucione funksionale. Sipas tij, çdo vonesë në këtë drejtim përbën shpërfillje të vullnetit të tyre dhe pengesë serioze për zhvillimin demokratik dhe institucional të vendit.
A duhet të japin dorëheqje Kurti dhe ministrat pasi mandati iu ka përfunduar?
A është e nevojshme që Albin Kurti dhe ministrat e tij të japin dorëheqje kur mandati i tyre përfundoi në mars? Njohësit e ligjeve thonë se kjo situatë është e re dhe me shumë paqartësi në Ligjin për Qeverinë.
Për më shumë, shikojeni videon më poshtë: