Ndërlidhjet

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 17 prill 2025.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 17 prill 2025.

Sërish dështon konstituimi i Kuvendit, seanca vazhdon të shtunën

Për të dytën herë, deputetët kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Por, pas konsultimit, ai tha se nuk ka konsensus se si të vazhdohet tutje, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë më 19 prill në orën 12:00.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton "të blejë kohë për pazare politike", pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputet, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.


12:26 17.4.2025

Krasniqi: Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk ka kuptim të ndryshohet qëndrimi i partisë sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve, nëse nuk ndryshohen rrethanat.

“Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi”, tha ai, para hyrjes në sallë plenare.

Memli Krasniqi.
Memli Krasniqi.
12:16 17.4.2025

IKD: S’ka nevojë që Komisioni për mandate të mblidhet sërish

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radion Evropa e Lirë se konsideron që nuk ka nevojë që të mblidhet edhe një herë Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit sepse e "ka kryer njëherë punën që e ka pasur për obligim kushtetues dhe sipas Rregullores” së Kuvendit.

“Ndërsa, Kuvendi, deputetët duhet të gjejnë rrugën që kjo fazë procedurale të kalojë dhe të vazhdohet me betimin e deputetëve dhe votimin e kryetarit të nënkryetarëve të Kuvendit”, tha ai.

Jakaj tha se sot duhet po ashtu që anëtarët e kabinetit qeverisës, që janë zgjedhur deputetë, duhet “të japin dorëheqje formale që atë ta dorëzojnë menjëherë te kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari”.

12:11 17.4.2025

Deputetët nisin të mblidhen në Kuvend

Deputetë të partive të ndryshme kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në prag të nisjes së vazhdimit të seancës konstituive.

Deputetët e LDK-së në sallën plenare.
Deputetët e LDK-së në sallën plenare.
12:11 17.4.2025

Cakolli: Komisioni duhet të mblidhet sërish

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se, për vazhdimin e seancës konstituive, Komisioni për verifikimin e mandateve duhet të mblidhet sërish.

“Duhet të mblidhet përsëri dhe të përgatisë një raport të ri, sepse ai i mëparshmi nuk ka kaluar”, tha Cakolli.

Eugen Cakolli
Eugen Cakolli

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG