Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, vazhdimi i së cilës është caktuar për 19 prill.
Për lajme, analiza dhe intervista që lidhen me çështjen e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, por edhe për zhvillime të tjera, vizitoni ueb-faqen tonë evropaelire.org.
Faleminderit që na ndoqët!
KDI: Dorëheqjet formale të anëtarëve të Qeverisë do të zhbllokonin konstituimin e Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shprehu shqetësim që deputetët sërish dështuan të miratonin raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve – hapi i parë drejt konstituimit të Kuvendit.
“Mosdorëheqja formale e kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur deputetë, përveçse shkelje e qartë e parimeve të ndarjes së pushteteve, po pamundëson votimin e raportit, duke cenuar drejtpërdrejt funksionalitetin institucional të Kuvendit”, tha KDI pas ndërprerjes së seancës.
KDI rikujtoi se sipas Ligjit për Qeverinë, anëtarët e ekzekutivit duhet të japin dorëheqje, “madje qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”.
“Gjithashtu, KDI vlerëson se mbyllja e sotme e seancës konstituive nga ana e Kryesuesit të saj, deputetit Avni Dehari, përbën shkelje të rregullores dhe praktikës parlamentare, pasi ajo u ndërpre pa u realizuar votimi për raportin nga Komisioni i përkohshëm dhe pa u konsumuar asnjë nga pikat e rendit të ditës. Një veprim i tillë, që anashkalon procedurat pa vendim formal të Kuvendit, cenon seriozisht legjitimitetin e procesit dhe i shton më tej paqartësitë rreth funksionimit të seancës”, u tha në reagimin e KDI-së.
Muhaxhiri: Jemi në qorrsokak, partitë luajnë rolin e viktimave
Dështimin e sërishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta vazhduar procesin e konstituimit të legjislativit, Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë dhe njohës i zhvillimeve politike e cilësoi si situatë për keqardhje.
Ai thekson se politikanët janë duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj qytetarëve që u kanë besuar votat dhe sipas tij, sjellja e tyre është irrituese dhe zhgënjyese.
“Nuk ka aspak vullnet për bashkëpunim dhe për gjetje të zgjidhjes. Sipas të gjitha gjasave, mundësia e vetme [për të tejkaluar ngecjen] është t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo, si instanca e fundit, mund ta marrë një verdikt për zhbllokimin e gjendjes aktuale”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se ngecja në konstituimin e Kuvendit po bëhet qëllimshëm nga partitë politike, sepse me konstituimin e legjislativit do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Në këtë kontekst, sipas tij, as Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, por as tri partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk kanë motiv të mjaftueshëm për të tejkaluar bllokadën për konstituimin e Kuvendit.
“Sikur të ishte e kundërta, kjo punë tashmë do të përfundonte... Jemi në një qorrsokak, sepse [kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk dëshiron ta krijoj Qeverinë, ndërsa në anën tjetër, opozita nuk i ka votat, sepse në të kundërtën edhe ajo do të duhej të ishte më energjike në kërkimin e zgjidhjeve ligjore për të dalë nga kjo bllokadë”, thekson Muhaxhiri.
Sipas tij, hedhja e fajit për ngecjen e procesit të konstitumit të Kuvendit ndërmjet partive politike, Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, është vetëm luajtje e “rolit të viktimave” para qytetarëve të vendit.
Deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpërndajnë një skenar për seancën e sotme
Deputetë të LDK-së dhe të PDK-së janë duke shpërndarë një skenar, që sipas tyre është dashur të ndiqej sot në vazhdimin e seancës konstituive, që sërish u ndërpre.
Ata kanë fajësuar LVV-në për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Gjatë seancës së sotme, kryesuesi Avni Dehari, ftoi partitë për konsultime, por nuk e hodhi në votim raportin, që nuk u miratua më 15 prill.