Deputetët fillojnë të hynë në objektin e Kuvendit
Deputetë nga parti të ndryshme parlamentare kanë filluar të hynë në objektin e Kuvendit të Kosovës ku në ora 15:00 pritet që për herë të katërt të rinisë seanca për konstituimin e Kuvendit.
Në mesin e deputetëve që tashmë kanë hyrë në Kuvend është edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e 19 prillit, votoi kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku: LDK nuk e voton Haxhiun për kryetare të Kuvendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se subjekti i tij politik, nuk ka ndërruar qëndrim dhe se nuk e voton Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
“Do të votojmë njëjtë si herët e kaluara sepse nuk ndajnë bindjen e njëjtë me partinë e parë [Vetëvendosjen]”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku e bëri këtë konfirmim pak para rinisjes së seancës.
Nga 61 vota sa nevojiten, të shtunën, më 19 prill, pro zgjedhjes së Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë.
Krasniqi: Është përgjegjësi e Vetëvendosjes t’i sigurojë votat për kryetarin e Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, la të kuptohej se partia e tij nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, as në seancën e sotme.
“Jemi këtu për të ecur përpara, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është përgjegjësia e atij që i ka fituar zgjedhjet, dhe atyre u takon t’i bëjnë votat. Nëse ata dështojnë, atëherë duhet të mendohet për opsione të tjera që parashihen me Kushtetutë”, tha Krasniqi.
I pyetur nëse shkuarja në zgjedhje të reja është opsion, Krasniqi tha: “gjithmonë”.
Limaj: Kosova do t’i fitojë institucionet e saj
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Kosova do “t’i fitojë institucionet e saj”, teksa hyri në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive.
Limaj, i cili ka qenë i hapur për koalicion me partinë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk tregoi nëse do ta votojë kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ai me dy deputetët e tjerë të Nismës nuk e kishin votuan Haxhiun në seancën e së shtunës.