Tentimi i katërt për konstituimin e Kuvendit
Përshëndetje të nderuar lexues,
Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e nisur më 15 prill.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë do t’ju sjellë në kohë reale zhvillimet lidhur me tentimin e katërt për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Na ndiqni!
Pse dështuan seancat e kaluara?
Kjo do të jetë hera e katërt që seanca konstitutive vazhdon prej kur u thirr nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 15 prill.
Seanca e parë më 15 dhe vazhdimin e saj më 17 prill, u ndërprenë qysh në pikën e parë kur dështoi të votohej Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, për shkak të mospajtimeve procedurale mes partive politike.
Pas tejkalimit të këtij mospajtimi, deputetët e miratuan raporton njëzëri në vazhdimin e tretë të seancës 19 prillit, kur u betuan edhe deputetët e rinj.
Megjithatë, edhe ajo u ndërprerë pastaj, në pikën e dytë, kur duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit.
Kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, dështoi t’i fitojë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Çitaku: LVV nuk bëri asnjë përpjekje për t’i siguruar votat
Deputetja zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se në bazë të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të 9 shkurtit i takon Lëvizjes Vetëvendosje t’i sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Çitaku tha shkurt para mediave pak para nisjes së seancës së Kuvendit, se Vetëvendosje ‘nuk ka bërë asnjë përpjeke’ për t’i kontaktuar deputetët e partive tjera për t’i siguruar votat për kandidatin e tyre.
Kujtojmë se kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit në seancën e kaluar ishte Albulena Haxhiu por në të dyja votimet nuk i mori votat e nevojshme.
Çfarë pritet të ndodhë në seancën e sotme?
Në seancën e sotme, deputetët duhet t’i zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët në mënyrë që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës përfundimisht.
Lëvizja Vetëvendosje pritet ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.
Haxhiu dështoi të emërohej në seancën e 19 prillit, pasi i mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme në dy tentime radhazi.
Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Në rast se Kuvendi konstituohet sot në përpjekjen e katërt, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.