AAK-ja me thirrje për ndërrim të kandidatit për kryetar të Kuvendit
Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se AAK-ja nuk do të votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Ai tha se nëse vazhohet si në seancën e kaluar, AAK-ja do të votojë kundër.
Haradinaj tha se AAK-ja do të mbështeste Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin për kryetare të Kuvendit. Të dyja, si Bogujevci ashtu edhe Selimi janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Murati konfirmon se LVV-ja do ta propozojë Haxhiun përsëri për kryetare të Kuvendit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka konfirmuar se partia fituese e zgjedhjeve do ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
“Ne tashmë e kemi propozimin, pra është deputetja.. Albulena Haxhiu, e cila është propozuar dhe sapo ta kemi dakordimin dhe konfirmimin se ka vullnet për zhbllokim të procesit nga subjektet opozitare, do të ecim tutje”, tha ai.
Haxhiu kishte dështuar t’i fitonte votat e nevojshme prej 61 në dy tentime në seancën e 19 prillit.
Nis seanca konstituive
Seanca konstitutive, e ndërprerë tri herë brenda më pak se një jave, ka filluar, me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës në rend dite.
Përveç zgjedhjes së kryetarit, në rend dite janë edhe emërimi i pesë nënkryetarëve.
Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut, i cili vdiq sot në moshën 88-vjeçare.
Shtyhet seanca konstituive, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të hënën, pasi fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi marrëveshje politike.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të aryeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.
Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë e dështimit të votimit të Haxhiut.
Pas kërkesës së Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve.