Ndërlidhjet

Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.
Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.

Inkursioni rus në Poloni: NATO-s i propozohet të vendosë zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore

•Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, thotë se 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmeve mbi Ukrainën perëndimore.

•Tusk thekson se deri në katër dronë u rrëzuan nga aeroplanët polakë dhe të NATO-s, dhe kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni.

•Rusia tha se se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

•Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ambasadori amerikan në NATO tha se SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

•Pas incidentit, analistët kanë thënë se NATO-ja ka shumë opsione për t'u përgjigjur, përfshirë edhe vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore.

14:23 10.9.2025

SHBA thotë se qëndron pranë aleatëve të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha të mërkurën se Uashingtoni qëndron pranë aleatëve të tij, pasi dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës dhe u neutralizuan nga mbrojtja ajrore e NATO-s.

“Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, shkroi në X i dërguari amerikan në aleancë, Matthew Whitaker.


14:21 10.9.2025

Gjermania e cilëson “incident shumë serioz” shkeljen e hapësirës polake nga Rusia  

Qeveria gjermane tha se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë është një “incident shumë, shumë serioz”.

Autoritetet gjermane janë në kontakt me homologët në Poloni, tha zëdhënësi i Qeverisë në Berlin, Sebastian Hille.

Kjo ngjarje “tregoi edhe një herë se me çfarë lloj kërcënimi po përballemi dhe sa shumë Rusia po na teston”, tha Hille.

Ai tha se është e kuptueshme kërkesa e Polonisë për të aktivizuar nenin 4 të traktatit të NATO-s.

“Sipas nesh, kjo është plotësisht e justifikueshme dhe vë në pah se sa seriozisht ne si aleatë duhet ta marrim këtë incident”.

Ndërkaq, në një konferencë për media në Berlin ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se Rusia ka ndërmarrë një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

“Pas tre vjetësh luftë në Ukrainë, Moska ende nuk është e gatshme që seriozisht të negociojë. Është e kundërta. Kremlini dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën me çdo mjet të mundshëm. Ne duhet dhe do të hapim një përgjigje të qartë për këtë”, theksoi kryediplomati gjerman.

Berlin. Fotografi nga arkivi.
Berlin. Fotografi nga arkivi.
13:52 10.9.2025

Ku janë bazat ushtarake amerikane në Evropë?

Shtetet e Bashkuara kanë prani ushtarake nëpër disa vende të Evropës, përfshirë në Poloni, shtet anëtar i NATO-s që rrëzoi disa dronë rusë mëngjesin e 10 shtatorit.

Shikoni infografikën e mëposhtme për të kuptuar se në cilat shtete gjenden bazat amerikane.


13:29 10.9.2025

Kremlini thotë se nuk do ta komentojë incidentin në Poloni

Kremlini ka dhënë komentin e parë mbi incidentin në Poloni… por vetëm për të thënë se nuk do të komentojë.

“Ne nuk do të donim të komentonim për këtë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë një konference të përditshme me gazetarët.

“Kjo nuk është çështje për ne. Është një çështje për Ministrinë [ruse] të Mbrojtjes”, shtoi ai.

I pyetur për akuzat e ngritura ndaj Moskës, Peskov u përgjigj: “Udhëheqësia e BE-së dhe e NATO-s e akuzojnë Rusinë për provokime çdo ditë, zakonisht pa u mbështetur në fakte”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG