Ndërlidhjet

Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.
Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.

Inkursioni rus në Poloni: NATO-s i propozohet të vendosë zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore

•Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, thotë se 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmeve mbi Ukrainën perëndimore.

•Tusk thekson se deri në katër dronë u rrëzuan nga aeroplanët polakë dhe të NATO-s, dhe kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni.

•Rusia tha se se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

•Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ambasadori amerikan në NATO tha se SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

•Pas incidentit, analistët kanë thënë se NATO-ja ka shumë opsione për t'u përgjigjur, përfshirë edhe vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore.

11:06 10.9.2025

Në cilat pjesë të vendit i rrëzoi Polonia dronët rusë?

Polonia i rrëzoi disa dronë rusë gjatë mëngjesit të mërkurën, të cilët ishin futur në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.

Në këtë hartë mund të mësoni se në cilat pjesë të Polonisë u rrëzuan dronët.

10:46 10.9.2025

Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha në parlament se gjatë natës janë shënuar 19 hyrje të paautorizuara në hapësirën ajrore polake, pjesa më e madhe e dronëve duke ardhur nga Bjellorusia. Ai shtoi se është konfirmuar rrëzimi i tre dronëve, ndërsa një i katërt ka shumë gjasa të jetë goditur.

“Fakti që këta dronë, të cilët paraqisnin kërcënim për sigurinë, u rrëzuan, e ndryshon situatën politike. Për këtë arsye, konsultimet me aleatët morën formën e një kërkese zyrtare për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s”, tha Tusk.

Neni 4 i Traktatit të NATO-s thotë se "Palët do të këshillohen bashkërisht kurdoherë që, sipas mendimit të cilësdo prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e cilësdo prej palëve".

Donald Tusk
Donald Tusk
10:44 10.9.2025

NATO: Për herë të parë avionët përballen me kërcënime në hapësirën ajrore të një aleati

NATO ka thënë se është në kontakt të ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë pas hyrjes së disa dronëve në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, gjenerali i Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Alexus Grynkewich – komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s – tha se Aleanca po e ndjek nga afër situatën.

Një zëdhënës i NATO-s shtoi se ishte hera e parë që avionët e saj janë angazhuar përballë kërcënimeve të mundshme brenda hapësirës ajrore të një aleati.


10:11 10.9.2025

Çfarë ndodhi në Poloni?

  • Gjatë natës, një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan mbi hapësirën ajrore të Polonisë, tha kryeministri i vendit, Donald Tusk.
  • Duke folur para një mbledhjeje emergjente, Tusk tha se kjo ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.
  • Polonia mbylli përkohësisht hapësirën ajrore dhe nisi një operacion ushtarak, ku u përfshinë edhe avionë të NATO-s dhe holandezë. Banorët në tri rajone polake përgjatë kufirit me Ukrainën u udhëzuan të qëndronin në shtëpi.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte “një tjetër hap i përshkallëzimit” nga Rusia.
  • Forcat ajrore ukrainase thanë se sulmi rus përfshinte 415 dronë, një raketë balistike dhe 42 raketa lundruese, dhe se “tetë UAV [dronë] të armikut kaluan kufirin shtetëror të Ukrainës duke fluturuar drejt Polonisë”.
  • Aeroportet polake janë rihapur që nga atëherë dhe operacioni ushtarak ka përfunduar.
  • Rusia ende nuk ka komentuar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG