NATO: Për herë të parë avionët përballen me kërcënime në hapësirën ajrore të një aleati
NATO ka thënë se është në kontakt të ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë pas hyrjes së disa dronëve në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus në Ukrainën perëndimore.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, gjenerali i Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Alexus Grynkewich – komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s – tha se Aleanca po e ndjek nga afër situatën.
Një zëdhënës i NATO-s shtoi se ishte hera e parë që avionët e saj janë angazhuar përballë kërcënimeve të mundshme brenda hapësirës ajrore të një aleati.
Çfarë ndodhi në Poloni?
- Gjatë natës, një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan mbi hapësirën ajrore të Polonisë, tha kryeministri i vendit, Donald Tusk.
- Duke folur para një mbledhjeje emergjente, Tusk tha se kjo ishte hera e parë që dronë rusë u rrëzuan mbi Poloni.
- Polonia mbylli përkohësisht hapësirën ajrore dhe nisi një operacion ushtarak, ku u përfshinë edhe avionë të NATO-s dhe holandezë. Banorët në tri rajone polake përgjatë kufirit me Ukrainën u udhëzuan të qëndronin në shtëpi.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte “një tjetër hap i përshkallëzimit” nga Rusia.
- Forcat ajrore ukrainase thanë se sulmi rus përfshinte 415 dronë, një raketë balistike dhe 42 raketa lundruese, dhe se “tetë UAV [dronë] të armikut kaluan kufirin shtetëror të Ukrainës duke fluturuar drejt Polonisë”.
- Aeroportet polake janë rihapur që nga atëherë dhe operacioni ushtarak ka përfunduar.
- Rusia ende nuk ka komentuar.
Macron: Futja e dronëve rusë në hapësirën ajrore polake, e papranueshme
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët gjatë sulmit rus në Ukrainën perëndimore është “thjesht e papranueshme”.
Ai theksoi se së shpejti do të flasë me shefin e NATO-s, Mark Rutte, për këtë çështje.
“Nuk do të bëjmë kompromis mbi sigurinë e aleatëve tanë”, shkroi Macron në një postim në platformën sociale X.
Presidenti polak do të thërrasë takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, do ta thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare brenda 48 orëve, pasi Polonia rrëzoi dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi të gjerë rus në Ukrainën perëndimore.
“Lajmi se brenda 48 orëve do të kemi informacion të plotë mbi atë që ndodhi në Poloni më çoi në vendimin për ta thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare brenda 48 orëve”, tha Karol Nawrocki.
Ai tha se kjo gjendje përbën një çast të paparë në historinë e NATO-s dhe të Polonisë.