Ndërlidhjet

Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.
Një polic qëndron në rrugë, ndërsa zjarrfikësit punojnë mbi çatinë e shkatërruar të një shtëpie në Wyryki, Lublin, Poloni, më 10 shtator 2025.

Inkursioni rus në Poloni: NATO-s i propozohet të vendosë zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore

•Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, thotë se 19 dronë rusë u futën në hapësirën ajrore të vendit gjatë sulmeve mbi Ukrainën perëndimore.

•Tusk thekson se deri në katër dronë u rrëzuan nga aeroplanët polakë dhe të NATO-s, dhe kjo është hera e parë që dronë rusë rrëzohen mbi Poloni.

•Rusia tha se se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.

•Polonia e ka cilësuar incidentin “akt agresioni që përbënte kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”.

Ambasadori amerikan në NATO tha se SHBA-ja do të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.

•Pas incidentit, analistët kanë thënë se NATO-ja ka shumë opsione për t'u përgjigjur, përfshirë edhe vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore.

09:39 10.9.2025

Zelensky: Rusia e shënjestroi qëllimshëm Poloninë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha Rusia e vuri në shënjestër qëllimshëm edhe Poloninë derisa po e bombardonte Ukrainën gjatë natës.

“Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se ky veprim, ky drejtim i sulmit, nuk ishte rastësi”, shkroi Zelensky në X.

“Ukraina është gjithashtu gati t’i ndihmojë Polonisë në ndërtimin e një sistemi efektiv paralajmërimi dhe mbrojtjeje kundër kërcënimeve të tilla ruse”, shtoi ai.

Ai theksoi se të paktën tetë dronë rusë kishin shënjestruar Poloninë, pasi Rusia kishte lëshuar gjithsej rreth 415 dronë dhe mbi 40 raketa drejt Ukrainës perëndimore.

09:36 10.9.2025

Polonia rrëzoi disa dronë rusë pasi kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore

Polonia njoftoi mëngjesin e së mërkurës i ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e quajtur këtë “akt agresioni”.

Ushtria e Polonisë tha se dronët shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës, pasi Rusia e kishte nisur një valë sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë edhe afër kufirit me Poloninë.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shkroi në X se ishte njoftuar nga Komanda Operacionale e Ushtrisë lidhur me “rrëzimin e dronëve që u futën në hapësirën tonë ajrore dhe që mund të përbënin kërcënim”.

Ai tha se e ka njoftuar edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për veprimet e ndërmarra nga pala polake.

Nuk raportohet për viktima në Poloni dhe mbetet e paqartë sa dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë.

Ushtria tha se është duke kërkuar për mbetjet e dronëve të rrëzuar.

“Ky është akt agresioni që paraqiti kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, shkroi Komanda Operacionale e Ushtrisë në një postim në X.

Ndërkohë, deri tani nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Polonia tha gjithashtu se i ka mbyllur katër aeroporte, përfshirë aeroportin kryesorin e vendit në Varshavë.

09:29 10.9.2025

Përshëndetje të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,

Mirë se vini në mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të reagimeve lidhur me rrëzimin e dronëve rusë nga ushtria polake, të cilët kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit anëtar të NATO-s.

Qëndroni me ne!

XS
SM
MD
LG