Telashe për qeverisje qendrore, por jo edhe nëpër komuna
Përderisa mbahet takimi mes Osmanit dhe krerëve politikë – në mungesë të një konsensusi për të qeverisur – përfaqësuesit e tyre nëpër komuna kanë lidhur e po lidhin koalicione për balotazhin e 9 nëntorit.
Çfarë tregon ky trend?
Nis takimi mes Osmanit dhe zyrtarëve politikë
Duket se takimi tashmë ka nisur. Do t'i presim reagimet e pjesëmarrësve sapo të dalin nga salla.
Kurti: Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje
Në rrugë për te salla e takimit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nëse do të gjendet sot ndonjë zgjidhje për situatën e krijuar.
“Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje dhe e falënderoj zonjën presidente për organizimin e këtij takimi”, ka thënë Kurti shkurt për mediat.
Osmani paralajmëroi se do t’u kërkonte kompromis liderëve parktiakë
Në prag të takimit, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik në takim me liderët partiakë.
Kupina tha të martën se Osmani “do t'i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Ajo gjithashtu pritet ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së.
Qeveria në detyrë e miratoi më herët buxhetin për vitin 2026, por nuk është e qartë se ai do ta gëzojë mbështetjen e partive të tjera në Kuvend.