Pak orë para këtij takimi, Qeveria në detyrë miratoi buxhetin për vitin 2026
Derisa Osmani po përgatitej t’i mirëpriste liderët në orën 12:00, Qeveria në detyrë e miratoi buxhetin për vitin 2025 dhe tha se do t’ia dërgojë menjëherë atë Kuvendit për votim.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse ky projektligj për buxhetin 2026, në vlerë rreth 4 miliardë euro, mund të shqyrtohet dhe hidhet në votim në Kuvendin e ri të Kosovës.
Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, dështoi të fitojë mbështetjen e partive parlamentare për formimin e grupeve dhe komisioneve parlamentare, në mënyrë që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për çështjen e buxhetit për vitin 2026.
Gjithashtu, shumë ekspertë ligjorë vlerësojnë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri të vendit.
Më shumë rreth kësaj mund të lexoni në këtë artikullin më poshtë.
Çfarë pritet të ndodhë në këtë takim
Osmani pritej t’i ftonte liderët për takim konsultativ, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi t'i fitonte votat e mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re.
Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.
Lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.
Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor.
Të dashur lexues,
Po e nisim mbulimin e drejtpërdrejtë të takimit të presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive më të mëdha parlamentare. Ajo pritet të bisedojë me ta për mundësinë e formimit të një qeverie të re të Kosovës.
Kosova është në paralizë politike, pasi, megjithëse e bëri Kuvendin e ri në shtator, ende nuk ka qeveri të re 9 muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Faleminderit që jeni me ne!