AAK: Adem Hoxha nuk është më pjesë e grupit tonë parlamentar
Edhe pse grupet parlamentare ende nuk janë zyrtarizuar, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmoi se deputeti goran, Adem Hoxha, nuk do të jetë pjesë e këtij grupi, ndryshe nga sa ishte raportuar më herët.
Arsyeja është se ai votoi sot kundër qëndrimit të grupit, duke i dhënë votën një kandidati nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
Adem Hoxha më herët ka qenë pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe. Nëse i bashkohet sërish kësaj liste, ajo do të ketë gjithsej 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Rashiq dështon sërish të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës
Deputeti nga pakica serbe, Nenad Rashiq, ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kjo është hera e dytë që ai nuk votohet për këtë post. Rashiqi i mori 56 vota për, 1 kundër dhe 20 abstenime. Ai ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ndërpreu seancën dhe tha se administrata e Kuvendit do të njoftojë se kur mund të vazhdojë ajo.
Ai i thirri partitë parlamentare për konsultime për zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe, që është hapi i fundit për ta konstituuar Kuvendin përfundimisht.
Edhe Sergjan Popoviq e Igor Simiq dështojnë të zgjidhen
As dy deputetët e radhës të Listës Serbe, Sergjan Popoviq e Igor Simiq, nuk kanë marrë ndonjë votë në votimin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Ata u hodhën në votim me short dhe pritet të voton edhe nga një herë secili.
Popoviq u nxor në votim tri herë dhe me kaq humbë mundësinë për t'u votuar.
S’ka votë as për Stefan Kovaçeviqin
Deputeti i tretë i hedhur në votim me short është Stefan Kovaçeviq, i cili sikurse bashkpartiakët e tij, nuk e mori asnjë votë për nënkryetar të Kuvendit.
Kovaçeviq u hodh në votim tri herë dhe në asnjërin rast nuk e mori asnjë votë. Ai nuk ka të drejtë të hidhet në votim më.
Lista Serbe i ka 9 deputetë dhe as ata vetë nuk po votojnë për, pasi duan që kandidat i tyre të jetë Sllavko Simiq, i cili dështoi në tri tentime në seancën e kaluar.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se po ndjek aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës, një kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.