Përshëndetje të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,
Unë jam Trim Haliti, dhe bashkë me kolegun tim, Ekrem Idrizi, po e nisim mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës.
Pas zgjedhjes së kryetarit, të nënkryetarëve shqiptarë dhe të nënkryetares nga pakicat joserbe, Konstituimi i institucionit ligjvënës tashmë ka ngecur te votimi i nënkryetarit nga komuniteti serb.
Më 26 gusht, deputetët refuzuan ta votonin kandidatin e Listës Serbe – partia serbe e mbështetur nga Beogradi dhe më e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me 9 vende.
Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
As Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.
Konstituimi i Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
A do të përmbyllet sot konstituimi i Kuvendit?
Qëndroni me ne!
Kryetari i porsazgjedhur Dimal Basha thërret konferencë për shtyp
Kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thirrur konferencë për shtyp në orën 10:00.
Nuk është e qartë arsyeja e kësaj konference por ajo vjen një ditë pas kritikave të mëdha me të cilat ai u përballë në lidhje me punim të tij nga viti 2012.
Në punimin ku ai është bashkautor, thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Në një reagim në Facebook të mërkurën mbrëma, Basha e mohoi se ka shkruar ndonjëherë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Basha tha se kontributi i tij në këtë punim është vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
“Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë”, shkroi ai në Facebook.
Nenad Rashiq do të vetëkandidohet për nënkryetar
Nenad Rashiq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se do të vetëkandidohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
Gjatë vazhdimit të seancës konstituive të martën, Rashiq ishte hedhur në votim me short, por nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur.
Kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim Rashiqin dhe kandidatë të tjerë përmes shortit, për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq.
Rashiq është kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Murati: Rashiq është mundësia e vetme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, u ka bërë thirrje deputetëve ta votojnë Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe.
Në një postim në Facebook, Murati tha se deputetët kanë dy mundësi: “Të zgjedhin njërin nga 9 deputetët e Listës Serbe, që nënkupton dikush i dirigjuar nga terroristi Millan Radoiçiq në kryesi të Kuvendit, apo të zgjedhin një deputet si z. Nenad Rashiq që nuk është nga Lista Serbe”.
Ai e përsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes së nuk do të votojë për asnjë nga nëntë deputetët e Listës Serbe, “e cila punon kundër Republikës së Kosovës”.
“Prandaj i vetmi opsion që mbetet për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit është z. Rashiq”, shtoi ai.
Rashiq nuk i mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur në seancën e kaluar.
Sa për t’jua kujtuar, zgjedhja e nënkryetarit të pestë do të përmbyllte konstituimin e Kuvendit të Kosovës.