Ambasadori i BE-së: Kosovës i duhet Kuvend dhe Qeveri e re
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh i zhgënjyer që deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën sërish ta bëjnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë. Kosovës i duhet një qeveri e re, një qeveri e re që do ta ndërtojë urën e re - një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit”, tha Orav, në hollin e Kuvendit, pas mbylljes së seancës konstituive.
Ai shtoi se ndërtimi i një bashkëpunimi të tillë do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në seancën e 52-të kontituive, ai ishte i pranishëm bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, Gjermania, Britannia e Madhe, Franca, etj.
“Ne erdhëm këtu me shpresa të mëdha, por fatkeqësisht prapë nuk ndodhi asgjë”, tha Orav.
Murati fajëson partitë tjera për dështimin e radhës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati, ua ka atribuuar partive tjera politike dështimin për konstitutim të Kuvendit, duke e quajtur “jokushtetutes” vendimin e tyre për të mos propozuar nga një deputet për komision për votim të fshehtë.
"Sa i përket rrugës përpara, ne e kemi edhe nesër një mundësi. Është dita e fundit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, nuk mendoj se ka nevojë të pritet masa e përkohshme, sepse atëherë hyjmë në territor të pashkelur më parë sa u përket veprimeve dhe pasojave, pas tejkalimit të këtij afati. U bëj thirrje të gjithë deputetëve që ta shfrytëzojnë mundësinë, të votohet komisioni i fshehtë, të marrin pjesë, qoftë për, kundër apo abstenim, pavarësisht votës së tyre, le ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese”.
Ai e ka përmendur edhe një herë zotimin e LVV-së që nëse Albulena Haxhiu nuk i merr votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare edhe në votim të fshehtë, atëherë ajo do të tërhiqet.
Murati ka insistuar sërish se veprimet e partisë të cilës i takon janë krejtësisht kushtetuese.
Rohde: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e quajti fatkeqësi dështimin e sërishëm të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në hollin e Kuvendit pak pas mbylljes së seancës, ai tha se “jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar insitucionet”.
“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve”, tha Rohde.
Ai e quajti vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme si karton të kuq “sepse po e suspendon parlamentin për të marrë një vendim”.
Rohde ishte i pranishëm në këtë seancë së bashku me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, BE-ja, Britannia e Madhe, Franca, etj.
Limaj: Nisma nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë pas seancës se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
"Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare, do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.
“Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Është bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për Qeveri, dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot”.
Mes tjerash, Limaj ka thënë se në interes të demokracisë dhe funksionimit të institucioneve, “do të ishte mirë ta presim aktgjykimin, dhe më pas forcat politike të mobilizohen t'i themelojnë institucionet”.