Ndërlidhjet

Deputetë duke u larguar nga salla e seancave të Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Deputetë duke u larguar nga salla e seancave të Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Deputetët sërish nuk e bëjnë Kuvendin - të shtunën përpjekja e fundit

◦ Deputetët kanë dështuar të premten ta konstituojnë Kuvendin – një ditë para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për finalizim të procesit. Seanca e radhës do të mbahet më 26 korrik në orën 14:00.

◦ Më 24 korrik, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, përmes së cilit ua ndalon deputetëve çdo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit në periudhën 27 korrik – 8 gusht.

10:53 25.7.2025

Mbërrijnë ambasadorët e vendeve perëndimore

Pak para nisjes së seancës, në hyrje të Kuvendit janë parë ambasadorë të vendeve perëndimore, përfshirë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Si pjesëtarë të vendeve të QUINT-it, ata kanë bërë thirrje disa herë që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet.

QUINT-i përbëhet nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca dhe Gjermania.

10:49 25.7.2025

Zemaj: Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në nisje të seancës se masa e përkohshme i paraprin kërkesës së LDK-së në Gjykatën Kushtetuese.

“Për mua vendimi i ka dy kuptime. E para, që nuk dëshiron të ketë vakum të keqpërdorimit të seancës kuvendore ose ndonjë vendimi arbitrar nga kryesuesi i seancës, dhe e dyta që ndoshta të japë hapësirë akoma për Lëvizjen Vetëvendosje që të gjejë bashkëpunim, mirëkuptimin dhe të krijojë mirëbesim që mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe të kalojmë në pjesën e Qeverisë”.

Megjithatë, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e ka hallin te mungesa e votave për formim të Qeverisë dhe për pasojë e ka bllokuar Kuvendin.

10:43 25.7.2025

Haradinaj: Jemi të gatshëm për zgjedhje, por si opsion i fundit

Kreu i Aleancës së Ardhmërisë për Kosovën (AAK), Ramush Haradinaj, tha se ai e sheh si shenjë të mirë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme që të mos ndërmerret asnjë vendim për konstituimin të Kuvendit nga 27 korriku deri më 8 gusht.

“Është e mundshme që gjykata e ka paraparë që kaq kohë i duhet për një vendim. Pra i bjen që jemi në një periudhë më dinamike”, tha Haradinaj, para seancës së 52-të konstituive.

Tutje tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, por se ato i sheh si opsion të fundit.

“Ne nuk mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për t’i krijuar institucionet”, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj.
Ramush Haradinaj.
10:39 25.7.2025

Haxhiu: Mund të ketë edhe seanca tjera

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu - e propozuar për kryeparlamentare - ka thënë të premten se është e natyrshme që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masë të përkohshme, marrë parasysh situatën aktuale, ndonëse as Partia Demokratike e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë kërkuar masë të përkohshme kur i kanë dërguar lëndët e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë masë e ka kërkuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët gjatë javës.

“Na kanë mbetur edhe pak orë. Na ka mbetur sot, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe më vonë, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë seancë edhe nesër. Në rrethana të tilla duhet reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asgjë konkrete nga propozimi që i ka bërë Nismës Socialdemokrate për ta pasur partnere në koalicion qeveritar.

Albulena Haxhiu.
Albulena Haxhiu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG